Balla: PD nuk kursen as fëmijët për të bërë politikë

TIRANË, 2 tetor/ATSH/ – Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot se “PD po përdor fëmijët dhe prindërit në Mengël të Elbasanit, për të bërë politikë”.

Balla tha se “nuk ka turp më të madh për politikën kur përdor edhe jetën e fëmijëve si mish për top në luftën politike”.

Kreu i grupit parlamentar socialist sqaron se “ditën e mërkurë fillojnë punimet e rikonstruksionit të shkollës në Mengël të Elbasanit, sepse shkolla është e dëmtuar dhe në kushtet që është rrezikon seriozisht të shembet dhe të zërë fëmijë e mësues brenda. Fillon të mërkurën, sepse procedurat e tenderimeve publike kërkuan kohën e vet minimale”.

Balla shpreh habinë “pse politika e zymtë e PD, një partie që ka humbur toruan, pa ekip, pa program, pa lidership, me ca militantë të papërgjegjshëm duan të luajnë me jetët e fëmijëve? “Duam të bëjmë mësim në shkollën që po shembet. Nuk duam rikonstruksionin. Nuk i çojmë fëmijët 1 muaj në një shkollë tjetër”. Më thoni si mund t’ua zgjidhësh këtë kërkesë pa kuptim. Kur brenda disa ditësh shkolla do të ketë kolona të reja mbajtëse dhe vetëm atëherë mund të zhvillohet mësimi normalisht”.

Deklaratën e tij Balla e mbyll duke shkruar se “kjo lloj politike e ulët nuk është politikë për hallin e shkollës së fëmijëve, por për hallin e pazgjidhshëm të Lulit dhe të partizës së tij, dikur Partia Demokratike”.

Taulant Balla publikoi edhe një dokument, ku tregohet gjendja aktuale e shkollës në Mengël të Elbasanit. /o.l//e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.