“Balkan Film Market”, profesionistët e botës së kinemasë në Tiranë

TIRANË,2 tetor /ATSH/- Rikthehet ”Balkan Film Market” në edicionin e tij të dytë nga data 3-7 tetor 2018 në Tiranë nga Iceberg Communication dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë (QKK).

Për pesë ditë me radhë ”Balkan Film Market” do të shërbejë si një platformë për të sjellë më pranë profesionistë të botës së filmit nga Europa dhe Ballkani për të ndarë historitë, për të nxitur marrëdhëniet profesionale dhe për të zhvilluar edhe më tej përpjekjet marketing për prodhimet vendore kinematografike.

“Balkan Film Market” do të mbledhë për të dytin vit producente dhe kineastë nga gjithë Ballkani të cilët po mësojnë si të vendosin kontaktet e duhura dhe te orientohen për gjetjen e bashkëproducentëve që është edhe çelësi kryesor për të patur akses në fondet europiane të filmit.

Në BFM do të jenë të pranishme një shumëllojshmëri alternativash edukative, pa harruar diskutimin e paneleve mbi problematikën e industrisë së filmit në Ballkan dhe mundësitë për të rritur përpjekjet për bashkëprodhim dhe për t’i konkretizuar ato në projekte konkrete.

Edhe këtë  vit producentët më të suksesshëm të kinemasë europiane të viteve të fundit do të jenë prezentë në ngjarjen më unike në skenën ballkanike të filmit që organizohet në Tiranë./a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.