Shkodër/ Shëndeti publik, bashkia vijon punën për trajtimin e qenve endacakë

TIRANË, 1 tetor/ATSH/ – Bashkia Shkodër, vazhdon të punojë në mënyrë të qëndrueshme për trajtimin e qenve endacakë (sterilizim, kastrim, dehelmintizim, vaksinim, matrikullim dhe regjistrim).

Me anë të këtyre ndërhyrjeve, synohet që të ndikohet drejtpërdrejtë në përmirësimin e shëndetit publik dhe situatës së krijuar nga prania e qenve endacakë.
Për vitin 2018, ka filluar dhe po zbatohet procesi KSVL (Kap, Sterilizo, Vaksino, Lësho) i trajtimit të 170 qenve endacakë në fazën e parë dhe 330 qenve të tjerë në fazën e dytë, proces i cili po kryhet në bashkëpunim me Fondacionin StrayCoCo dhe shoqatën Pro Qen Albania.
Pavarësisht punës së realizuar përgjatë këtyre viteve problemi i qenve endacakë vazhdon të mbetet shqetësues, ndaj nevojitet edhe ndërgjegjësimi dhe përfshirja e komunitetit për minimizimin dhe përmirësimin e problemit.
Bashkia Shkodër i bën thirrje të gjithë banorëve që të mos braktisin qentë, i fton dhe inkurajon të gjithë të cilët nuk e përballojnë financiarisht shërbimin veterinar të kërkojnë mbështetje, posaçërisht qentë femra për sterilizim, dehelmintizim dhe vaksinim falas. /m.z/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.