TIRANË, 1 tetor /ATSH/ – Ministria e Financave po harton një ligj të ri për investimet, i cili sjell disa risi sa i përket krijimit të lehtësirave të mëtejshme për investitorët. Ligji pritet të jetë gati në mesin e vitit që vjen dhe do të hyjë në fuqi më 1 janar 2020.
Ligji parashikon që për të marrë statusin e investitorit strategjik, ku subjektet duhet të investojnë në disa sektorë të përcaktuar nga qeveria, të kenë një vlerë të konsiderueshme investimi dhe të hapin vende pune në përputhje me kriteret e caktuara në legjislacion.
Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi sot projektligjin për një ndryshim në ligjin “Për Investimet Strategjike në Republikën e Shqipërisë”.
Në mbledhjen e komisionit ishte i pranishëm për t’ju përgjigjur pyetjeve të deputetëve zëvendësministri i Financave dhe Ekonomisë, Elton Haxhi.
Haxhi, referuar pyetjeve të deputetëve për mundësinë e zgjatjes së afatit në të ardhmen, shpjegoi se së shpejti në Kuvend do të depozitohej një projektligj i ri, si nismë e plotë, ku do trajtoheshin si investimet e huaja ashtu, edhe investimet e brendshme.
Projektligji nuk sjell efekte financiare për buxhetin e shtetit. Për zbatimin e këtij projektligji ngarkohen Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA), Komiteti i Investimeve Strategjike, si dhe të gjitha institucionet dhe organet e administratës shtetërore që kanë në fushën e kompetencave të tyre elementë specifikë proceduralë.
Pas diskutimeve, anëtarët e komisionit e miratuan projektligjin në fjalë. /e.xh//e.caushi/
