Hoxha takon komisionerin Hahn: Liberalizimi i vizave për Kosovën, sa më shpejt

SALZBURG, 1 Tetor /ATSH/ Ministrja e Integrimit Europian, Dhurata Hoxha, ka takuar komisionarin për zgjerim të Bashkimit Europian, Johannes Hahn gjatë Konferencës së 14-të të Rajoneve dhe Qyteteve të Europës që po mbahet në Salzburg.

Ministrja falënderoi Hahn, për përkushtimin e tij për liberalizimin e vizave si dhe për zgjerimin e BE-së në Ballkanin perëndimor. Ministrja kërkoi mbështetjen e tij që procesi i vendimmarrjes për liberalizimin e vizave për kosovarët të përshpejtohet dhe përmbyllet gjatë këtij viti.

“Ne i kemi përmbushur të gjitha kushtet nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave. Ne jemi duke çuar përpara Agjendën e Reformave Europiane, dhe me dinamikë të shtuar po realizojmë masat e planifikuara nga MSA-ja. Pas përmbushjes së kushteve përkatëse, presim qe edhe vendet anëtare dhe institucionet e BE-së të kryejnë të gjithë hapat proceduralë dhe procesi të përmbyllet pa vonesa”, – tha Hoxha.

Sipas njoftimit për mediat, nga ministria e Integrimit e Kosovës, Komisioneri për Zgjerim të BE-së, Hahn, theksoi se Kosova e ka mbështetjen e tij për procesin integrues, duke përfshirë edhe liberalizimin e vizave. Hahn inkurajoi ministren Hoxha që Kosova të vazhdojë me reformat, sidomos në fushën e sundimit të ligjit, administratës publike dhe të bërit biznes. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.