Valbona, midis thjeshtësisë natyrale dhe një zhvillimi urban të ekuilibruar

Valbona, midis thjeshtësisë natyrale dhe një zhvillimi urban të ekuilibruar

Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, Zamir Dedej, në një intervistë me gazetarët e Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH), flet për Luginën e Valbonës dhe preferecën turistike që kjo natyrë e ruajtur ofron për vizitorët. Dedej thotë se “kur thua Valbonë përfytyron një vend të pa shfrytëzuar, natyral, të thjesht, me gjelbërim, me disa shtëpi apo ndërtime të ulëta alpine që të grishin t’i vizitosh."

Posted by Agjencia Telegrafike Shqiptare on E diel, 30 Shtator 2018

TIRANË,26 Shtator / ATSH.N.Lena / – Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, Zamir Dedej, në një intervistë me gazetarët e Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH), flet për Luginën e Valbonës dhe preferecën turistike që kjo natyrë e ruajtur ofron për vizitorët. Dedej thotë se “kur thua Valbonë përfytyron një vend të pa shfrytëzuar, natyral, të thjesht,me gjelbërim, me disa shtëpi apo ndërtime të ulëta alpine që të grishin t’i vizitosh. Ndërsa sot, atje po ndërtohen hotele me yje dhe kështu Valbona po humbet thjeshtësinë e saj natyrale”thotë Dedej. Më tej ai sqaron përpjekjen që po bëhet për të gjetur një ekuilibër ndërmjet natyrës, banorëve të zonës dhe ndërtimeve që po kryhen atje. Dedej e lidh zhvillimin urban në disa zona edhe me mundësinë që këto zona të mos braktisen nga banorët e tyre për arsyen e mos gjetjes së mjeteve të jetesën duke qenë larg qendrave urbane. Zhvillimi urban në mënyrë të ekuilibruar i Valbonës do të sjellë zhvillimin ekonomik të zonës dhe për pasojë dhe më shumë vizitorë.

E përsëri Valbona mbetet pika më e vizituar në veriun e Shqipërisë në të gjitha ditët e vitit.

Bukuritë e rralla natyrore të kësaj treve vijnë të gërshetuara me trashëgiminë kulturore dhe atë historike të përcjella brez pas brezi. Të gjitha këto shoqërohen nga tradita mikpritëse e  vendasve, një vlerë kjo e njohur tashmë edhe nga bujtësit e huaj.

Një guid e veçantë për tu eksploruar është dhe rruga deri në Valbonë, një mrekulli më vete me peizazhe pyjore e ujore, male e lugina mbresëlënëse.

Lundrimi me tragetin Koman-Fierzë paraqet një atraksion të vërtetë turistik për këdo që viziton Tropojën në të katër stinët.

Pastaj të pret një luginë e bukur që shtrihet mes bjeshkeve të namuna (të bekuara) duke i ndarë malet shkëmborë për të krijuar këtë panoramë kaq të bukur të natyrës shqiptare.

Edhe emri i saj, Valbonë e thotë këtë – Luginë e Bukur… Këtu mund të përjetosh veç bukurive natyrore edhe jehonën e Kreshnikëve, Mujit  dhe Halilit… Sipas eposit, Bjeshkët e Namuna kanë qenë një ndër vendbanimet e tyre, mrizet e zanave.. e plot legjenda të tjera që i dëgjon mes banorëve vendas.

Më pas mund të akomodohesh në hanet e zonës, shtëpitë e banorëve të vëna në shërbim të turistëve, duke ruajtur traditën dhe duke u shërbyer atyre në mënyrë tradicionale dhe sëfundmi edhe në hotele.

Të zgjohesh në Valbonë është një befasi. Përball të  shfaqet  Maja e Hekurave, grykët e hapura, Maja e Rodit, Mali i Thatë, të gjithë duken sikur prekin qiellin e rrinë sipër teje.

Valbona mbetet një bukuri  e rrallë natyrore në çdo stinë.

 

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.