Rruga Kardhiq–Delvinë, investim i qeverisë me vlerë 7.8 miliardë lekë

TIRANË, 30 shtator /ATSH/ – Nisën sot punimet për ndërtimin e rrugës Kardhiq–Delvinë, në jug të vendit, 14.5 km e gjatë, me vlerë investimi nga buxheti i shtetit 7.8 miliardë lekë që do të që shkurtojë me 2 orë e 30 minuta, kohën e udhëtimit nga Tirana në Sarandë, duke i dhënë një hov të mëtejshëm ekonomisë turistike shqiptare.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast në Kardhiq të Gjirokastrës, merrte pjesë Kryeministri Edi Rama, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, drejtori i Autoritet Rrugor Shqiptar, Afrim Qendro,  si dhe të ftuar të tjerë nga institucionet e linjës dhe qytetarë të zonës.

Drejtori i ARRSH-së, Qendro në fjalën e mbajtur me këtë rast tha se, projekti i kësaj rruge  ka qenë shumë problematik.

Në këtë kuadër, theksoi Qendro, ARRSH fillimisht ka lidhur kontratën e supervizimit, (kontrollit) që në muajin korrik të këtij viti dhe e ka parë projektin nga e para, duke ndërmarrë të gjitha ndryshimet e duhura sipas rregullave ligjorë, për të realizuar një investimi bashkëkohorë dhe sipas standardeve më të mira.

“Sot jemi në momentin që do të fillojmë punën në tre lotet e këtij segmenti, me gjatë 14.5 km dhe vlerë investimi 7.8 miliardë lekë”, tha Qendro.

Ky segment theksoi ai, shtrihet në një terren të vështirë kodrinor ndaj puna për realizimin e këtij projekti ka marrë angazhimin maksimal të specialistëve të fushës për të bërë një rrugë sipas të gjitha standardeve.

Qendro shpjegoi detaje të projektit, sipas të cilit, segmenti i parë përfshinë punimet nga Kardhiqi deri në hyrje të tunelit , pastaj nga fundi i tunelit dhe deri ku bashkohen dy lotet e tjerë.

“është një rruge e kategorisë 2 me të gjithë elementët përbërës, me të gjitha standardet, ka 5 vepra të madha arti, ura dhe është një projekt i cili do të shoqërohet vitin që vjen me projektin e ri që do të bëjë ARRSH për tunelin dhe për segmentin fundor nga Shijani deri në urën e Gajdarit prej 6 km, për ta mbyllur me buxhetin e vitit që vjen të gjithë segmentin Kardhiq-Delvinë”, tha Qendro.

Për këtë aks po punojnë tre kompani, të afirmuara në ndërtimin e veprave të infrastrukturës rrugore. e.xh/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.