Qytetarët mbushin sheshin “Skënderbej”, shfaqje muzikore dhe akrobaci në ajër

-Veliaj: Për ata që mendonin se sheshi nuk do mbushej kurrë, ja ku është sot, plot me fëmijë-

TIRANË, 30 shtator/ATSH/- Sheshi “Skënderbej” ia ka dalë të kthehet në një qendër të madhe eventesh artistike. Pas një vere të mbushur me spektakle kulturore e sportive, sheshi kushtuar qytetarëve të Tiranës është hapësira më e frekuentuar për shfaqje të ndryshme.

Këtë të shtunë, qytetarët e shumtë dhe të vegjlit patën mundësi të ndiqnin një nga spektaklet më të njohur në botë, i njohur si Teatri i Rrugës “Mobile Homme”, i organizuar nga Ambasada franceze në Shqipëri, me mbështetjen e Bashkisë së Tiranës dhe Aleancës Franceze.

Shfaqjen e ndoqi edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili tha se kryeqyteti ka pasur aktivitete të shumta kulturore dhe shtoi se kjo traditë e bukur do të vijojë edhe më tej.

“Jam shumë i lumtur që, në fakt, Tiranës nuk i kanë munguar aktivitetet gjatë gjithë verës, por sidomos edhe tani në vjeshtë. Dua të falënderoj shumë kolegët e Ambasadës franceze, ambasadoren Christine Vasak që bashkëpunoi për të na sjellë një shije të veçantë të Francës, diçka jo klasike sportive, por mbi të gjitha një dhuratë për fëmijët e Tiranës; besoj se për fëmijët e Tiranës më e mira është gjithmonë përpara”, tha ai.

Kryebashkiaku theksoi se përkundër skeptikëve që mendonin se sheshi nuk do të arrinte të mbushej asnjëherë, evente të tilla kulturore janë tregues se ky transformim e ka kthyer atë në një nga hapësirat më të preferuara për qytetarët e Tiranës. “Për të gjithë ata që mendonin se sheshi “Skënderbej” ishte shumë i madh dhe nuk do mbushej kurrë, ja ku është sot, plot me fëmijë, plot hare, plot gëzim; unë besoj se e gjithë e ardhmja e Tiranës do të jetë plot gëzim. Kështu që, shumë faleminderit miqve francezë dhe mezi pres të bëjmë akoma më shumë gjëra të bukura bashkë”, u shpreh Veliaj.

Spektakli vijoi me shfaqje të ndryshme dhe nga trupa e Cirkut Kombëtar dhe Banda Frymore e Qytetit të Tiranës./k.s/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.