Kardhiq-Delvinë, potencial të jashtëzakonshëm në ekonomi dhe turizëm

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/323044284912930/

TIRANË, 30 shtator/ATSH/- “Rruga e re kombëtare Kardhiq-Delvinë ka një potencial të jashtëzakonshëm mbi ekonominë kombëtare, do të sjellë një transformim të madh në lëvizshmërinë e përgjithshme dhe në funksion të turizmit. Ajo do të shkurtojë me 1 orë lidhjen e Tiranës me Sarandën”.

Kështu theksoi sot kryeministri Edi Rama në fshatin Kardhiq të Gjirokastrës gjatë ceremonisë së përurimit të fillimit të punimeve të rrugës Kardhiq-Delvinë, me gjatësi prej 14.5 km dhe një fond prej 7.8 miliardë lekë.

“Për rrugën Delvinë-Kardhiq jo vetëm është folur për vite të tërë, por ka pasur edhe inaugurime që në 2007 madje gjithë gjatësia e rrugës është përfshirë në bilancet e 10 mijë km rrugë që ishin në fantazitë e Saliut. E vërteta është që jo 10 mijë km rrugë edhe kjo ishte në inventarin e rrugëve të lëna rrugëve”, nënvizoi Rama.

Kryeministri u shpreh se “projekti u ribë nga e para, ndërsa tuneli dhe pjesa e fundit që duhet të lidh Delvinën me Sarandën po bëhen tani, pasi as nuk ishin parashikuar fare. Do të bënin një rrugë kombëtare me mënyrën e tyre, siç i kanë bërë për faqen e zezë dhe siç i kanë djegur fondet dhe ngarkuar në kurriz borxhet shqiptarëve, që do të ndalonte në Delvinë. Nga Delvina në Sarandë, në ato 6 km do të vazhdonte pastaj rruga e re”.

“Kjo histori ka marrë fund dhe faktikisht historia shekullore e Kardhiqit e Fushëbardhit, Zhulatit me nga 200- 300 shtëpi, që sot janë shpopulluar krejtësisht sepse kanë mbetur tërësisht jashtë çdo rruge të zhvillimit, këtu merr një kthesë jo thjesht si një histori e këtyre fshatrave por si histori e një zone ku praktikisht ka një potencial te madh zhvillimi turistik dhe ekonomik”, nënvizoi Rama.

Kreu i qeverisë theksoi se “nëse sot Gjirokastra dhe Saranda janë pranë, por sidoqoftë janë në një distancë dhe lëvizshmëri që nuk e inkurajon fluksin intensiv të turistëve, nesër Gjirokastra e Saranda do të jenë një, dhe ndërkohë gjithë lidhja e Sarandës me pjesën sipër duke kaluar përmes Kardhiqit do të jetë më e shpejtë dhe më turistike”.

“Traseja e rrugës së re dhe projekti nuk është asgjë më shumë sesa rikonceptimi me standarde të kohës së sotme i shtegut rrugor që është përdorur që në prehistori nga ilirët, turqit, romakët, italianët, gjermanët dhe rruga e re Kardhiq Delvinë është një çarje shumë e rëndësishme për të shmangur qafën e vështirë dhe tërësisht të amortizuar të qafës së Muzinës dhe për ta shkurtuar me një orë pothuajse lidhjen e Tiranës me Sarandën”, tha Rama./k.s//e.caushi/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.