Gjiknuri: Pas 20 vitesh, rruga Kardhi-Delvinë bëhet sot realitet

TIRANË, 30 shtator /ATSH/ – “Kjo është një ditë e shënuar, për një rrugë që realisht është bërë legjendë për më shumë se 20 vite, por sot e famshmja rruga Kardhiq-Delvinë, bëhet  realitet”.

Kështu u shpreh sot ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, në ceremoninë e përurimit të ndërtimit të rrugës Kardhiq- Delvinë, që siç tha ministri, filloj me shumë bujë në vitin 2017, por fatkeqësisht mbeti në rrugë, si shumë e shumë rrugë të tjera.

“Kjo rrugë do të përfundojë para vitit 2021 dhe qeveria shqiptare i ka marrë masat për këtë. Kemi siguruar të gjithë buxhetin e duhur për ta përfunduar plotësisht këtë rrugë. Janë tre lotet e para që fillon puna dhe vitin tjetër fillojmë edhe tunelin ku kemi edhe segmentin e fundit që do ta lidhim me Sarandën”, tha Gjiknuri.

Kjo rrugë, tha ai, është një nga akset më të rëndësishme për ekonominë e turizmit në Shqipëri pasi afron Sarandën, një nga qendrat më turistike të vendit me pjesën tjetër të Shqipërisë.

“Saranda nuk do të jetë më shumë se 2 orë e 30 minuta nga Tirana dhe mendo çfare do të jetë kjo për turizmin dhe sezonin turistik. Kjo do të thotë më shumë fluks vizitorësh më shumë komunikim më shumë turistë që vizitojnë këtë qytet”, tha Gjiknuri.

Nga ana tjetër, vuri në dukje ministri, kjo rrugë nuk i shërben vetëm Sarandës por i shërben edhe Gjirokastrës. Që do të thotë se shumë turistë që vijnë në Sarandë e kanë më të lehtë për të vizituar Gjirokastrën e anasjelltas.

Ministri solli në vëmendje projektet e qeverisë për zhvillimin e infrastrukturës në Shqipëri që janë me impakt në rritjen ekonomike të vendit dhe nxisin zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.

“Nesër me zhvillimin e mundshëm edhe të një aeroporti në Sarandë, zhvillimi i fluksit të turizmit do të jetë shumë herë më i madh. Ky është një nga projektet e duhura që ne i kemi dhënë prioritet, pasi nuk ka qenë e parashikuar në buxhetin e rrugëve, madje ishe lenë për projektet e Partneritetit Publik Privat (PPP), por edhe fondet për atë proces nuk do të mjaftonin. Ndaj qeveria shqiptare vendosi për t’i dhënë rëndësi këtij aksi kaq të rëndësishëm për ekonominë dhe turizmin”, deklaroi Gjiknuri.

Ministri shprehu bindjen, që për dy vjet do të shohim një nga rrugët më të mira me standardet më bashkëkohore në Shqipëri dhe të gjithë qytetarët do të kenë mundësi të shohin modelin e zhvillimit që duan, pikërisht për atë që qeveria po bën me infrastrukturën  shqiptare, e cila nuk ndalet këtu dhe po vijon për të transformuar infrastrukturën e vendit drejt zhvillimit të duhur. e.xh/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.