Libra falas për nxënësit e pakicave kombëtare

TIRANË, 29 shtator/ATSH- A.Fortuzi/- Këshilli i Ministrave ka marrë vendimin për t’u siguruar tekste falas nxënësve nga pakicat kombëtare sikundër dhe hapjen e klasave specifike me gjuhën përkatëse për nxënës pjesë e grupeve të popullsisë së pakicave kombëtare

“Nxënësve të arsimit bazë të pakicave kombëtare, të cilët mësojnë dhe/ose mësohen në gjuhën e pakicës kombëtare, u sigurohen tekstet shkollore falas.Ministria përgjegjëse për arsimin bashkërendon punën me institucionet publike të arsimit të lartë, që kanë në objekt të veprimtarisë së tyre mësimore dhe shkencore shkencat shoqërore, sociale dhe ato të edukimit, për nevojat e formimit fillestar për mësues që do të zhvillojnë mësim në gjuhën e pakicave kombëtare”, lexohet në vendim.

“Trajnimi dhe zhvillimi profesional i mësuesve që zhvillojnë mësim në gjuhën e pakicave kombëtare financohet me fondet e buxhetit të shtetit. Mësuesit trajnohen, të paktën 3 ditë në vit, me programe trajnimi të akredituara. Njësitë arsimore vendore organizojnë, koordinojnë dhe mbështesin zhvillimin e vazhdueshëm profesional të mësuesve në nivel institucioni arsimor. Procedurat e trajnimit dhe zhvillimit profesional të mësuesve në nivel institucioni arsimor përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për arsimin”, shkruhet në vendim.

“Nisma për hapjen e klasave në gjuhën e pakicave kombëtare mund të merret nga:njësia e vetëqeverisjes vendore përkatëse;njësia arsimore vendore përkatëse;komuniteti i zonës, ku pritet të hapen klasa të pakicave kombëtare”, sqarohet në vendim.

“Për hapjen e klasave në gjuhën e pakicave kombëtare, kryetari i bashkisë dhe titullari i njësisë përkatëse arsimore vendore, pas konsultimit me përfaqësues të pakicave kombëtare, i paraqesin propozimin përkatës ministrit përgjegjës për arsimin. Propozimi për hapjen e klasave në gjuhën e pakicave kombëtare në institucionet arsimore parauniversitare publike shoqërohet me studimin mbi argumentimin e domosdoshmërisë së hapjes së klasave me nxënës të pakicave kombëtare, si dhe me kontributin e njësisë së vetëqeverisjes vendore”, vijon vendimi.

“Propozimi për hapjen e klasave në gjuhën e pakicave kombëtare paraqitet jo më vonë se 6 muaj para fillimit të vitit mësimor dhe do të ketë kriteret e paracaktuara sipas ligjit në fjalë. Në kushte të veçanta, kur numri i fëmijëve apo i nxënësve të pakicave kombëtare është më i vogël se 15 (pesëmbëdhjetë) nxënës për klasë, funksionimi i klasave në gjuhën amtare të pakicës kombëtare bëhet me urdhër të ministrit përgjegjës për arsimin”, saktësohet në vendim.

Po ashtu Këshilli Ministrave vendosi që, Institucionet publike të arsimit të lartë, që kanë në objekt të veprimtarisë së tyre mësimore e shkencore shkencat shoqërore, sociale dhe ato të edukimit, të përfshijnë në veprimtarinë e tyre mësimore njohjen, hulumtimin dhe promovimin e kulturës, historisë, gjuhës dhe besimit fetar të pakicave kombëtare. Institucionet publike të arsimit të lartë, që kanë në objekt të veprimtarisë së tyre mësimore e shkencore shkencat shoqërore, sociale dhe ato të edukimit të përfshijnë, të mbështesin dhe të inkurajojnë realizimin e veprimtarive kërkimore-shkencore lidhur me njohjen, hulumtimin dhe promovimin e kulturës, historisë, gjuhës dhe besimit fetar të pakicave kombëtare.

Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, nëpërmjet aktiviteteve, fushatave sensibilizuese dhe koordinimit me institucionet e arsimit të lartë, promovon njohjen e kulturës, historisë, gjuhës dhe besimit fetar të pakicave kombëtare.
Efektet financiare të nevojshme për zhvillimin e aktiviteteve, fushatave sensibilizuese që do të ndërmerren me nismën e ministrisë përgjegjëse për arsimin, do të përballohen nga fondet e parashikuara në buxhetin e ministrisë përgjegjëse për arsimin. Efektet financiare të nevojshme për zhvillimin e veprimtarive mësimore e shkencore, të realizuara nga institucionet e arsimit të lartë, do të përballohen nga të ardhurat e vetë institucioneve të arsimit të lartë. /j.p/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.