10 vite që kërkonte legalizimin e banesës, e merr për 7 ditë falë platformës

TIRANË, 29 shtator/ATSH-Maela Marini/ Pas ankesës në platformën e bashkëqeverisjes shqiperiaqeduam.al, një qytetar nga Pogradeci arriti të merrte brenda 7 ditësh lejen e legalizimit, për të cilën kishte 10 vite që kishte aplikuar.

Ky ishte rasti i radhës i prezantuar sot në Korçë, mbi suksesin e platformës së bashkëqeverisjes për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve.

Kryeministri Edi Rama nënvizoi afatin 10-ditor për t’i dhënë përgjigje çdo kërkese, dhe në rastin kur qytetarit i takon, ai merr zgjidhje brenda 10 ditësh.

Konkretisht, Krenari nga Pogradeci, kishte 10 vjet që kërkonte të bënte legalizimin e banesës dhe e mori atë për 7 ditë, pas ankesës në platformë.

“Kishte vite që kisha aplikuar për legalizimin për të më dalë leja e shtëpisë, ishte e pamundur. Vija në Pogradec dhe më thoshin duhet të shkoja në Korçë, vija në Korçë dhe më përcillnin në Pogradec. Falë platformës suaj për 7 ditë më doli leja e legalizimit”, tha qytetari.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.