Tërhoqi denoncimin, Policia e Shtetit: Vijuam hetimet dhe e çuam rastin në Prokurori

TIRANË, 28 shtator/ATSH/ – Policia e Shtetit ka reaguar në lidhje me rastin e Fushë-Krujës duke theksuar se ka pezulluar nga detyra oficerin e policisë Gentian Çitozi, i cili sipas Policisë, nuk ka marrë denoncimin e vajzës, duke e referuar atë në Prokurori.

Pasditen e së premtes, zv/drejtoresha e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Drejtuese e Lartë Aida Hajnaj, theksoi se Policia ka vazhduar hetimet pavarësisht tërheqjes së kallëzim nga ana e vajzës, madje është referuar edhe në Prokurori si rast.

Deklarata e zv/drejtoreshës së Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Aida Hajnaj

Pasditen e datës 21 korrik 2018 rreth orës 17, pranë Komisariatit Nr. 3 në Tiranë është paraqitur shtetasja Xhisela Maloku, e cila ka depozituar kallëzim ndaj shtetasit Rexhep Rraja për përndjekje dhe kanosje me mesazhe telefonike.

Për shkak të përgjegjësisë territoriale të vendbanimit kësaj shtetaseje, në të njëjtën ditë në orën 21.40 pranë Stacionit të Policisë së Fushë-Krujës, shtetasja Xhisiela Maloku është thirrur nga Oficeri i Policisë Gjyqësore Gentian Çitozi për të dhënë deklarimin e saj lidhur me ngjarjen. Kjo është bërë publike edhe nga komunikata ditore e Policisë së Shtetit e datës 22.07.2018 të cilën mund ta verifikoni në çdo moment duke vizituar faqen e internetit të Policisë së Shtetit.

Oficeri i policisë Çitozi, nuk ka vepruar në përputhje me Kodin e Procedurës Penale për marrjen në pyetje të një shtetasi, pasi prezent ka qenë edhe shtetasi Rexhep Rraja, i cili është personi nën hetim, me pretendimin se palët janë pajtuar midis tyre.

Për këtë arsye oficeri Çitozi është pezulluar nga eprorët e tij, në këtë rast nga Shefi i Komisariatit dhe është referuar në Prokurori nga SHÇBA.

Ditën e hënë, më datë 23.07 2018 çështja e shtetases Maloku është referuar në Prokurori. Në këtë moment çështja kaloi nën kompetencë të Prokurorisë dhe prokurorja duke e patur tanimë çështjen nën kompetencën e saj, vendosi që këtë procedim t’ia kalojë për kryerjen e veprimeve të mëtejshme oficerit të policisë Emiljano Nuhu, në datën 27.07.2018.

Oficeri i Policisë Emiljano Nuhu, ka filluar të kryejë veprime me këtë çështje pas kësaj date. Në zbatim të urdhërit të delegimit nga prokurorja nga 11 detyra ka zbatuar vetëm 4 prej tyre.

Në asnjë prej këtyre detyrave të zbatuara, nuk është kryer marrja në pyetje e personit nën hetim Rexhep Rraja.

Sqarojmë se marrja në pyetje e shtetasit Rexhep Rraja, marrja e tabulateve si dhe këqyrja e telefonit për këtë shtetas, ka qenë detyra e parë e deleguar nga prokurorja e çështjes, dhe që nuk janë zbatuar.

Pavarësisht kërkesës për heqje dorë nga kallëzimi i vet shtetases Maloku dhe kërkesës për ta tërhequr denoncimin, drejtuesi i Komisariatit të Policisë Krujë, duke vlerësuar rëndësinë e këtij kallëzimi dhe duke vlerësuar faktet dhe rrethanat e tjera të lidhur me to, nuk ka lejuar ndërprerjen e hetimit.

Pra, ndryshe nga sa paraqitet në media, shtetasja Maloku është tërhequr nga kallëzimi kurse Policia nuk është tërhequr nga hetimi i çështjes.

Madje brenda 24 orëve ka vazhduar procedurën me Prokurorinë. Çdo masë sigurie, ndalimi ose arrestimi i tij, që pretendohet se mund të merrej ndaj shtetasit R.Rraja nuk janë kompetencë e Policisë së Shtetit. Ligji ua njeh këto të drejta vetëm Prokurorit dhe Gjykatës.

Në respekt të publikut sqarojmë se shtetasja Maloku është mirëpritur dhe trajtuar me përparësi nga Policia. Situatat e krijuara nga tërheqja e denoncimit të shtetases, nuk i kanë dhënë Policisë mundësi ligjore për të ofruar urdhërin e mbrojtjes.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.