Të rinjtë e talentuar të “Albanian Skills” në panairin HungExpo

TIRANË, 28 shtator /ATSH/ – Të rinjtë e talentuar të “Albanian Skills” kanë marrë pjesë si vëzhgues në panairin HungExpo.

Ata janë takuar edhe me ambasadorin e Shqipërisë në Hungari, Arian Spasse.

“Ishte kënaqesi takimi në Budapest me të rinjtë e talentuar të AlbanianSkills dhe me mentoret e tyre, zonjat Zacharian dhe Cani. Fillimisht në pavijonet e HungExpo, ku ata janë ftuar nga WorldSkills Germany e marrin pjesë si vëzhgues, e më pas në Ambasadë, ku u njohëm më gjerësisht me pervojat dhe aspiratat e tyre për të ardhmen. Ndihemi krenare për këta të rinj e të reja që na përfaqësojne denjësisht”, shprehet ambasadori Spasse.
Albanian Skills është një iniciativë e pavarur private zvicerane shqiptare pa asnjë qëllim ekonomik.

“Është besimi ynë i fuqishëm se ekonomia funksionuese e një vendi domosdoshmërisht ka nevojë për profesionistë të kualifikuar përveç akademikëve të arsimuar teorikisht. Prandaj jemi gjithashtu të bindur se duhet ndërtuar një sistem i mirë arsimor në një sistem të fuqishëm të arsimit dhe formimit profesional”, shprehen ata.

/gj.mima/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.