Siguria, kontrolle intensive në Delvinë, arrestohen 2 shtetas

Siguria, kontrolle intensive në Delvinë, arrestohen 2 shtetas

Si rezultat i kontrolleve dhe informacioneve të marra në rrugë operative u kap një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar për vjedhje në shuma të mëdha të parave kryer në Greqi, si dhe u arrestua një tjetër person për posedim të lëndëve të forta narkotike

Posted by Agjencia Telegrafike Shqiptare on E premte, 28 Shtator 2018

TIRANË, 28 shtator/ATSH- A. Fortuzi/- Policia lokale e mbështetur nga FNSH po zhvillon  kontrolle në lokale dhe akse rrugore për parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe kapjen e autorëve të ndryshëm të veprave penale në Delvinë.

Si rezultat i kontrolleve dhe informacioneve të marra në rrugë operative u kap një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar për vjedhje në shuma të mëdha të parave, kryer në Greqi, si dhe u arrestua një tjetër person për posedim të lëndëve të forta narkotike.

Gjatë kontrolleve në lokalet e natës u shoqëruan për verifikim 9 persona. Policia e Delvinës  bëri kapjen dhe ndalimin e shtetasit Aleks Çoba, 48 vjeç, banues në fshatin Rusan, Delvinë, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, për vjedhje në shuma të mëdha parash deri në 400 mijë euro në shtetin grek. Për këtë shtetas u ekzekutua Vendimi Penal datë 20.09.2018 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë, e cila i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Vjedhja”.

Gjithashtu po gjatë kontrolleve nga Policia e Sarandës u kap dhe u arrestua në flagrancë  shtetasi:

Dritan Hyseni, 19 vjeç, banues në Sarandë, pasi gjatë kontrollit fizik dhe të  mjetit me të cilin  qarkullonte pa leje drejtimi përkatëse u konstatua një sasi lënde narkotike në total 37.1 gramë e dyshuar “kokainë”. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.