Rama: Mbi 100 milionë dollarë paguhen për rimbursimin e ilaçeve

PERGJIGJA IME

Posted by Edi Rama on E premte, 28 Shtator 2018

TIRANË,28 shtator /ATSH- I. Vata/ – “Ekonomia e vendit është rritur, punësimi, pensionet po ashtu dhe ndihma ekonomike është trefishuar, por mbi të gjitha janë më shumë se 100 milionë dollarë që paguhen për rimbursimin e ilaçeve, shprehet Kryeministri Edi Rama në rubrikën “Përgjigja ime”. Kryeministri Edi Rama i ktheu përgjigje një qytetari në lidhje me  shqetësimin e tij, se rrogat nuk janë rritur, pensionet, ndihma ekonomike apo pagesa e lekëve për ilaçe, apo mbifaturimi i OSHEE.

Në video, Kryeministri shton se, ashtu siç ta premtova me shkrim, po të përgjigjem me video. “E kam pyetur veten pse kur del një lajm i mirë për rritjen e ekonomisë ka një kategori komentuesish që shpërthejnë. Nuk është rasti për ta shtjelluar këtë temë, por as inati dhe as injorimi i fakteve nuk janë argumente. Gjithashtu është përsëri rasti për ta nënvizuar që në fillim se kur unë publikoj fakte apo shifra për ekonominë dhe punësimin, jo vetëm që nuk rrah gjoksin, as nuk pres lëvdata, sepse kjo është puna ime, por jam kaq i vetëdijshëm se sa shumë ka akoma për të bërë në këtë drejtim. Qoftë për aq sa pak ndjehet kthesa ekonomike në xhepin e një pjese jo të vogël të familjeve shqiptare sa gjithmonë jam i pakënaqur me veten”, shprehet Kryeministri.

Më tej Rama shton se “kthesa ku ka hyrë ekonomia shqiptare është fakt, nuk është opinion. Sikurse rritja e punësimit nuk është opinion por është fakt, janë fakte të lexueshme lehtësisht në librat e llogaritë e shtetit dhe të njohura botërisht nga institucionet financiare ndërkombëtare, madje të duartrokitura prej tyre në raporte domethënëse për Shqipërinë”.

Në argumentimi e tij, Kryeministri pohon se le t’i marrim me radhë pyetjet e tua, miku im. “Ka një matës për xhepat e popullit, konsumi. Në se rritja ekonomike nuk do ndihej fare te xhepat e qytetarëve, atëherë nuk do të kishte rritje të konsumit, po ja që rritje të konsumit ka dhe është konstante. Rrogat janë njësoj thua ti, po pyet një infermiere, apo një mësues, një polic sa merr sot, nga momenti kur ekonomia ishte zero dhe taksa e sheshtë ishte lak në fyt, në momentin kur ne morëm përsipër të drejtonim vendin dhe gjetëm një mal me borxhe në fillim të rrugës tonë”, tha ai.

Më tej, duke folur për rritjen e rrogave në sektorin privat, Rama tha se “rroga në sektorin privat është e vërtetë se ato me të ulëtat janë rritur më pak, por është e vërtetë se rritja ekonomike reflektohet më ngadalë mbi rrogat në sektorin privat njësoj nuk janë. Pensionet janë një temë më vete në të gjithë botën, por di të them se ata që do të dalin në pension pasi ne reformuam sistemin, për shumë e më shumë vite marrin më shumë dhe të gjithëve u garantohet një paketë solidariteti në fund të çdo viti. Vare vëth në vesh, se asnjë qeveri, edhe e ardhur nga Hëna, nuk mund t’i rrisë rrogat dhe pensionet përtej kufirit që i imponon e qëndrueshmërisë financiare të vendit”.

Sot rimbursohen mbi 100 milionë dollarë për ilaçe. Kryeministri shprehet se ndihma ekonomike është rritur trefish dhe sot rimbursohen më shumë se 100 milion dollarë. “Ndihma ekonomike, pse nuk e rrite, por është rritur dy dhe trefish sipas kategorive. A është shumë? Jo, është shumë pak, por është rritur deri në trefish dhe familjeve me ndihmë ekonomike u kompensohet çmimi i energjisë elektrike, u jepen librat falas deri në vitin e fundit të gjimnazit dhe iu rimbursohen 100% ilaçet, edhe pse janë të pasiguruar. Pse paguan për ilaçe? – pyet. Po sot rimbursohen mbi 100 milionë dollarë për ilaçe, por s’ka vend në botë ku ilaçet rimbursohen të gjitha, për të gjithë”, shprehet Rama.

Duke iu përgjigjur qytetarit për ryshfetin, Kryeministri shton se “pse paguani kudo ryshfet në administratë? Sot nëse të vonojnë për një shërbim apo të kërkojnë ryshfet nuk është njësoj si dje. Sot mund të shkruash direk qeverisë, në platformën “shqipëriaqëduam.al” dhe jo vetëm do marrësh shërbimin, por kush të ka vonuar me qëllim, do të marrë masë ndëshkimore dhe kush të ka kërkuar ryshfet do shkojë në prokurori dhe do ta shohësh, siç e kanë parë deri më tani 16 mijë shqiptarë, që gjërat janë ndryshuar dhe kanë gjetur zgjidhje”, tha ai. Më tej Rama tha se “këtë të OSHE nuk e kuptova dhe s’kam ç’të them, por për largimin nga Shqipëria kam një pyetje unë për ty Saimir. Njerëzit nga Shqipëria nisën të ikin që në 1990, apo kur erdha unë në qeveri?! Kur thua gënjen, i di shifrat, apo i ke më të dëgjuar?” Shqiptarët kanë ikur, ikin e do ikin, janë kthyer, kthehen e do kthehen, se Shqipëria nuk është më një bunker”, shprehet Rama. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.