Procesi screening, nisja e një rruge pa kthim drejt BE-së

TIRANË, 28 shtator/ATSH- A. Fortuzi/- Procesi screening është një nisje pa kthim në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, e cila ndodhet në Bruksel në kuadër të nisjes së procesit screening, u shpreh se është shumë e rëndësishme të kuptohet se ky është vetëm fillimi i rrugës së Shqipërisë drejt BE-së

“Shqipëria ka ecur me hapa të shpejtë në plotësimin e kushteve. Screening është nisja teknike e përgatitjeve me BE-në. Thelbësor është përafrimi i legjislacionit shqiptar me atë të familjes europiane”, tha Gjonaj.

Sipas saj, Shqipëria është e angazhuar në ndërmarrjen e reformave të rëndësishme. “Reforma në Drejtësi ka garantuar një transformim rrënjësor të sistemit të drejtësisë në Shqipëri, duke rikthyer besimin e qytetarëve te drejtësia. Kapitulli 23, një nga më të vështirët, në rastin e Shqipërisë do të mbyllet në një fazë më të hershme dhe kjo falë zbatimit me sukses të Reformës në Drejtësi. Deri më sot procesi i Vetingut në Drejtësi jo vetëm që ka kthyer besimin e qytetarëve shqiptarë te ky sistem, por është duke larguar një numër të lartë prokurorësh e gjyqtarësh nga sistemi aktual i drejtësisë. Ky hap është duke u vijuar me vendosmëri, pavarësisht çdo zëri dyshues apo mendjeje cinike. Çdo hap që hedhim na bën më të bindur se rruga që po ndjekim është ajo e duhura. Pasja në krah e partnerëve tanë në BE na shton edhe më tej bindjen se po bëjmë gjënë e duhur dhe se po ndjekim rrugën e duhur”, tha Gjonaj. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.