Procesi screening, Bushati apelon për mirëkuptim të gjerë politik

TIRANË, 28 shtator /ATSH/ – Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme Ditmri Bushati thekson procesi screening i nisur dje në Bruksel, kërkon para së gjithash pjekuri dhe mirëkuptim të gjerë politik për të siguruar vijimin e reformave shtetkonsoliduese.
“Shqipëria nisi në Bruksel procesin “screening” me Komisionin Europian, për kapitullin e Gjyqësorit dhe të Drejtave Themelore. Muajt në vijim do të jenë sfidues për administratën, por edhe ushtrimi i duhur për t’u përgatitur për fillimin e bisedimeve për anëtarësim”, shprehet ministri Bushati.

“Ky proces kërkon para së gjithash pjekuri dhe mirëkuptim të gjerë politik për të siguruar vijimin e reformave shtetkonsoliduese. Na priftë e mbara!” – thekson Bushati.

Shqipëria dhe Maqedonia nisën dje në Bruksel takimin e parë shpjegues të legjislacionit të BE-së për kapitullin e 23-të të negociatave të anëtarësimit “Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore”. Ky është i pari i një serie takimesh që do të zhvillohen me Komisionin Europian për kapituj të ndryshëm të negociatave të anëtarësimit.

Fillimi i këtij procesi vjen në vijim të vendimit të Këshillit të Ministrave të BE-së në qershor, i cili përcaktoi rrugën për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe autorizoi Komisionin për fillimin e punës përgatitore.

Takimi i 27-28 shtatorit shënoi fillimin e punës teknike të negociatave të anëtarësimit, nëpërmjet së cilës Shqipëria fiton kohë në procesin e mirëfilltë të negociatave.

Gjatë takimit, delegacioni shqiptar do të njihet me aktet ligjore dhe politikat kryesore të Bashkimit Europian që synojnë ngritjen dhe zhvillimin e një sistemi drejtësie të pavarur dhe efiçent. Në takim gjithashtu trajtohen lufta kundër korrupsionit dhe të drejtat themelore të njeriut e të drejtat e qytetarëve të Bashkimit Europian, sikurse garantuar nga Karta e të Drejtave Themelore dhe legjislacioni i Bashkimit Europian, duke përfshirë këtu mbrojtjen e të dhënave personale, barazinë gjinore, mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, mbrojtjen e minoriteteve, përfshirjen e Romëve dhe çështje të tjera.

Delegacioni shqiptar në këtë takim kryesohej nga ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj dhe zv.ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, si dhe kishte në përbërje përfaqësues nga Kuvendi i Shqipërisë, Ministria e Brendshme, Prokuroria e Përgjithshme, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Avokati i Popullit, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe institucione të tjera.

/gj.mima/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.