Fier, projekt pilot për riintegrimin e emigrantëve

TIRANË,28 shtator /ATSH- I. Vata/ – Fondi Shqiptar i Zhvillimit në bashkëpunim me Bashkinë Fier, njoftojnë fillimin e një projekti pilot për riintegrimin e emigrantëve të kthyer dhe familjeve të tyre ose të personave në nevojë.

Bashkia Fier shprehet se ky projekt synon “krijimin e një perspektive përmes punësimit dhe në të njëjtën kohë, përmirësimin e situatës në sistemin e kanaleve të kullimit”.

“Projekti do të ndihmojë qeverisjen lokale dhe popullsinë e rajonit të ndikuar për reduktimin e efekteve të përmbytjes, mirëmbajtjes së pronës publike, ndërkohë që piloton konceptin “para për punë publike”. Projekt pilot, do të zgjasë 2 muaj dhe mbështetet nga Ministria Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ) nëpërmjet GIZ në Shqipëri dhe zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit”.

Po ashtu thuhet se “nëse jeni një emigrant i kthyer dhe dëshironi të punësoheni për një kohë të kufizuar në pastrimin e kanaleve të kullimit në zonat Frakull, Levan, ju lutemi në datën 01 tetor 2018, duke patur me vete një kopje të kartës së identitetit, të paraqiteni pranë zyrave tona, në ndërtesën e Këshillit të Qarkut Fier”. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.