Euro 2024, Gjermania shteti organizator

TIRANË, 28 shtator /ATSH/ – Tifozët gjermanë të futbollit mund të gëzohen për turneun e ardhshëm të madh pas Kampionatit Botëror 2006: Kampionati Europian 2024 do të mbahet në Gjermani.

Aplikimi i Federatës Gjermane të Futbollit (DFB) mori të enjten konfirmimin për organizimin e Kampionatit Europian pas gjashtë vjetësh. DFB kishte hyrë në garë me moton “United by Football – të bashkuar në zemër të Europës” dhe dhjetë qytete organizatore.

Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas shprehu urimet e tij për DFB-në dhe të gjitha qytetet organizatore të Europianit të ardhshëm për këtë aplikim të suksesshëm.

“Kjo do të jetë një mundësi për të treguar vlerat për të cilat ne qëndrojmë në Gjermani: për një botë të hapur dhe tolerancën, për lirinë dhe respektin”, theksoi ai.

/gj.mima/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.