Dita Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore – Kënd promovimi në portin e Sarandës

TIRANË, 28 shtator/ATSH/- Në kuadër të aktiviteteve të 29 Shtatorit, Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore dhe Ditëve Europiane të Trashëgimisë, në ambientet e Portit të Sarandës është ngritur Këndi i promovimit të Trashëgimisë Kulturore.

Specialistët e sektorit të trashëgimisë kulturore Sarandë përmes posterave, broshurave, fletëpalosjeve, kartolinave dhe hartave i njohën vizitorët e huaj me një pjesë të trashëgimisë sonë kulturore.

Turistët e huaj shfaqën interes të lartë për historinë dhe monumentet e kulturës së Sarandës.

Qyteti bregdetar i Sarandës, një nga perlat e bregdetit shqiptar sa vjen edhe frekuentohet më tepër nga turistët vendas dhe të huaj. Të mahnitur nga bukuritë që të ofron qyteti me një vijë bregdetare për t’u pasur zili, Saranda ofron gjithçka për një pushues, plazh të pastër dhe cilësor, akomodim si dhe një larmi vendesh për t’u vizituar, ku një prej tyre është edhe Kalaja e Lëkurësit me pamjen përrallore që të ofron.

Vetëm gjatë 2 muajve (qershor-korrik 2018) është vizituar nga rreth 80 mijë turistë të huaj, përmes rrugës detare. Ndërkohë që kjo shifër pritet të jetë disa herë më e lartë, duke përmbledhur fluksin e turistëve që vijon ende të vizitojnë këtë qytet edhe në muajin shtator. /k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.