“100 fshatrat”, transformim i Pustecit për tërheqjen e turistëve

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/2255245414751880/

TIRANË, 28 shtator/ATSH-Maela Marini/ “Në Pustec po hapet rruga e një transformimi shumë të rëndësishëm, që do të tërheqë gjithnjë e më shumë turistë”.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, në takimin e organizuar në Pustec, në kuadër të programit “100 fshatrat”.

“E zhvillojmë këtu këtë takim, në një zonë të mrekullueshme, ku sapo ka filluar një proces transformimi me këtë qendër, e cila sot shërben vetëm si një shenjë e parë domethënëse e asaj që ne duam të bëjmë, duke shtrirë tanimë krahët e ambicies sonë përtej ndërhyrjeve thjesht urbanistike, apo infrastrukturore”, – tha Rama.

Kryeministri theksoi faktin se si me ndërhyrje në dukje minimaliste, por shumë domethënëse, nga pikëpamja e energjisë që krijojnë, mund të hapet rruga e një transformimi shumë të rëndësishëm në Pustec.

“Programi ‘100 fshatrat’ synon këtë dhe puna ka nisur. Si ky prezantim ekzistojnë prezantime të mundshme për të gjitha këto 100 fshatra, program që është në fazën e konceptit dhe do të kalohet në fazën e projekteve specifike për t’u realizuar në terren, për të cilat ne kemi punuar edhe për të krijuar fondin e nevojshëm”, tha Rama.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.