“Objektivat Globale të Zhvillimit”, axhenda 2030 përshtatje me realitetet lokale

TIRANË, 27 shtator/ATSH-Maela Marini/ “Axhenda 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm mund të sjellë ndryshimin nëse përshtatet me realitetet dhe sfidat që ka çdo bashki në Shqipëri”.

Kështu deklaroi Koordinatori i Përhershëm i OKB-së në Shqipëri, Brian Williams, në një aktivitet të organizuar në Fier, në kuadër të 3-vjetorit të miratimit të 17 Objektivave Globale të Zhvillimit.

“Në rastin e Shqipërisë, anëtarësimi në Bashkimin Evropian është një prioritet i zhvillimit i mbështetur nga të gjitha partitë kryesore politike në Shqipëri. Procesi i integrimit në BE mbetet piloti kryesor i zhvillimit që krijon sinergji me proceset e Objektivave të Zhvillimit të Qendrueshëm”, tha ai.

Sipas Williams, “qeveritë lokale janë faktor kryesor në kthimin e Axhendës 2030 nga një vizion global në një realitet lokal”.

Ndërsa Ambasadorja e Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri, Jiang Yu dha disa shembuj konkret se si Republika e Kinës po punon për arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm.

Realizimi i objektivave të Axhendës 2030, sipas saj, nuk është aspak i lehtë, por nëse një vend me një popullsi prej 1.3 miliardë si Kina mund ta bëjë këtë, nuk ka asnjë dyshim se Shqipëria mund ta arrijë këtë axhendë. “Jam e bindur se Shqipëria do të bëjë përparim të vazhdueshëm në Axhendën 2030 përmes zhvillimit ekonomik dhe social dhe do të ecë përpara në rrugën e integrimit europian”, – tha ajo.

Kryetari i bashkisë së Fierit, Armando Subashi u shpreh se disa prej Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm janë më reale për Fierin se të tjerat. “Janë problematika që hasim dhe punojmë t’i arrijmë cdo ditë për të sjellë ndryshim në jetën e qytetarit”, shtoi ai.

Çfarë janë Objektivat Globale?

Tre vjet më parë, më shumë se 150 liderë nga e gjithë bota, përfshirë edhe Kryeministrin e Shqipërisë, miratuan një axhendë të re zhvillimi për botën.

17 Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm synojnë të angazhojnë komunitetin ndërkombëtar dhe qeveritë për t’i dhënë fund varfërisë, për të mbrojtur planetin dhe garantuar prosperitet për të gjithë deri në vitin 2030. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.