MAQEDONI – Mbyllet fushata elektorale për referendumin për emrin

SHKUP, 27 shtator /ATSH-ANSA/ – Mbyllet në mesnatë fushata elektorale dhe fillon heshtja zgjedhore, dy ditë përpara referendumit të së dielës, zgjedhje vendimtare për të ardhmen e vendit ballkanik dhe perspektivën e integrimit të tij euroatlantik.

Thirrjet dhe tubimet e fundit janë planifikuar gjatë ditës si për pjesën e qeverisë edhe të opozitës.

Pak më shumë se 1,8 milion votues (në një popullsi pak më shumë se dy milionë) do të thirren për të vendosur mbi marrëveshjen  e qershorit të kaluar me Greqinë për një emër të ri të ish-Republikës Jugosllave (Maqedonia e Veriut).

Mosmarrëveshjet datojnë prej 27 vjetësh dhe Athina kishte bllokuar rrugën e Shkupit drejt BE-së dhe NATO-s duke përdorur veton.

Pyetësori për votuesit është ”A jeni në favor të anëtarësimit në NATO dhe në Bashkimin Europian duke pranuar marrëveshjen mbi emrin midis Republikës së Maqedonisë dhe Greqisë?”.

Për vlefshmërinë e referendumit kërkohet pjesëmarrja të paktën e 50% prej atyre që kanë të drejtë vote dhe është e nevojshme për vlefshmërine, të paktën gjysma e votave të vlefshme./ /os/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.