TIRANË, 27 shtator /ATSH/ – Bashkëpunimit Policor në Europën Juglindore ka sjellë rritje të sigurisë në rajon.
Ambasadat e Austrisë dhe Shqipërisë në Slloveni organizuan në Lubjanë ceremoninë e 10-vjetorit të Konventës së Bashkëpunimit Policor në Europën Juglindore – PCC SEE.
Veprimtaria u bashkëorganizua nga Ambasada e Austrisë, vend mbajtës i Presidencës të Këshillit të Bashkimit Europian, Ambasada e Shqipërisë, vend mbajtës i Kryesisë të Konventës, Zyra e DCAF, Lubjanë dhe Sekretariati i Konventës, Lubjanë.
Merrnin pjesë drejtues e përfaqësues të misioneve diplomatike, zyrtarë policorë nga disa vende europiane, si dhe të ftuar të tjerë.
Të pranishmit i përshëndetën ambasadorja e Austrisë në Slloveni, Sigrid Berka, Anton Travner, drejtues i DCAF Lubjanë, Thomas Herko, drejtues i Sekretariatit të PCC SEE dhe ambasadori Pëllumb Qazimi.

Gjatë fjalës së tij, ambasadori Pëllumb Qazimi uroi për punën e bërë dhe arritjet e PCC SEE për 10 vite, duke kontribuar për rritjen e sigurisë në vendet e EJL, si dhe për përshtatjen e standardeve nga vendet e rajonit me ato të Bashkimit Europian.
Gjithashtu, ai paraqiti edhe prioritetet dhe aktivitetet kryesore të Kryesisë shqiptare të Konventës.
Në përfundim, ambasadori falënderoi të gjithë vendet pjesë e konventës për kontributin e tyre dhe në veçanti Austrinë për mbështetjen e vijueshme ndaj Shqipërisë në rrugën e integrimit europian, përfshi edhe ndaj kryesisë shqiptare të PCC SEE. Mandej për të pranishmit u organizua pritje dhe u shijuan ushqime e prodhime nga të dy vendet, Austria e Shqipëria, si dhe vendet e rajonit. Të ftuarit shijuan edhe prodhime të verës, brandy “Skënderbeu” dhe embëlsira shqiptare.
/gj.mima/j.p/