Vetingu i politikanëve në Komisionin e Venecias, debati pro dhe kundër

TIRANË, 26 shtator /ATSH/ Diskutimet në Këshillin e Legjislacionit dhe Komisionin të Ligjeve për nismën e opozitës për Vetingun në politikë u përqendruan edhe në propozimin e deputetit socialist, Ulsi Manja që të merret opinion miqësor pranë komisionit të Venecias.

Manja theksoi se ekspertët konstitucionalistë vendas janë shumë të rëndësishëm, por po kështu është marrja e një opinioni miqësor nga ana e Komisionit të Venecias. “Bëhet fjalë për një traditë të  konsoliduar të Kuvendit të Shqipërisë me këtë organizëm, sa herë kemi pasur projekte me ndryshime kushtetuese, si ndodhi në vitin 2015 me dekriminalizimin apo në vitin 2016 me reformën në Drejtësi. Ky opinion kërkohet pasi ky projekt kushtetues i Vetingut të Politikanëve ndërhyn me kuadrin kushtetues e ligjor të dekriminalizimit dhe paketën e reformës në Drejtësi, në organet e specializuara SPAK e BKH, votuar bashkarisht me opozitën”, – tha Manja.

Ky propozim solli reagimin e ashpër të deputetit demokrat, Enkelejd Alibeaj i cili theksoi se ky propozim tregon frikë nga vetingu i politikanëve. Alibeaj e cilësoi artificial propozimin e PS-së për ta dërguar nismën e opozitës për marrje opinioni në Komisionin e Venecias.

“Pse doni ta shtyni, pse keni frikë nga vetingu i politikanëve. Pse keni frikë nga barazia e ligjit edhe për deputetët”, ishin disa nga pyetjet e Alibeajt për kolegët socialistë. Nënkryetari i Komisionit të Ligjeve argumentoi se të gjitha pikat e rregullores për nismën janë përmbushur. Përmbajtja është e njohur, publiku e njeh problemin, sepse po e vuajnë çdo ditë kriminalizimin e politikës, standardin e nismës e ka përcaktuar Venecia, kur ka folur për Vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve. “Venecia e ka shqyrtuar 3 herë këtë nismë me Vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve. A keni kurajo morale për ta pranuar secili individualisht. A keni kurajo politike për të pranuar Vetingun tonë njësoj siç bëhet Vetingu për policët, gardistët, prokurorët, gjykatësit”, – u shpreh Alibeaj.

Duke nxjerrë në pah se nisma eshtë identike me atë që ka pranuar Venecia për drejtësinë, Alibeaj tha se, nevoja për miratimin e nismës është emergjencë kombëtare dhe duhet miratuar brenda pak ditësh. /gj.m/ j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.