Transparencë dhe lehtësim i burokracive për bizneset

Prezantohet rregullorja e re e inspektimit të biznesit 

TIRANË, 26 shtator /ATSH/- Rregullorja e re e inspektimit të biznesit, synon të reduktojë korrupsionin dhe të rrisë transparencën në proceset e kontrollit.

Dhoma Amerikane të Tregtisë organizoi sot në Tiranë një takim me Inspektorin e Përgjithshëm të Inspektoriatit Qendror, Shkëlqim Hajdari, i cili prezantoi për herë të parë përpara anëtarëve të Dhomës Amerikane, risitë në rregulloren e re të inspektimit. 

Hajdari tha se ndryshimet në rregulloren e inspektimit, i përgjigjen reformës rregullative që ka ndërmarrë qeveria në mbështetje të biznesit, për të lehtësuar burokracitë, reduktuar korrupsionin dhe për të rritur transparencën me biznesin, në procesin e kontrollit.

Ky takim synon të rrisë ndërgjegjësimin e biznesit dhe transparencën e Inspektoriateve Shtetërore në dobi të biznesit privat.

Duke u ndalur në temën mbi inspektimet online – sfida e përbashkët e biznesit dhe e trupave të inspektimeve, Hajdari shprehu vlerësimin e tij dhe Inspektoriatit Qendror për rolin pozitiv që ka marrë Dhoma Amerikane e Tregtisë si përfaqësuese e drejtpërdrejtë e interesave të ligjshëm të biznesit të huaj privat që operon në vendin tonë, ndërsa theksoi se, inspektimet tashmë realizohen vetëm online.

“Nuk ka me asnjë arsye për moszbatimin e këtij detyrimi ligjor. Nuk do ketë më inspektime me blloqe pasi tashmë ISH-të janë të pajisura me laptopë, printera, shërbim interneti, si dhe të gjithë inspektorët janë të trajnuar, elemente këto të nevojshme për ta realizuar inspektimin online, duke përdorur sistemin elektronik të inspektimeve “e-Inspektimi”; e gjithë procedura e inspektimit duhet të përfundohet në subjekt, gjithashtu të gjithë inspektorët duhet të jenë të pajisur me kartën e inspektorit. Në rast se nuk zbatohen kërkesat ligjore për një inspektim të rregullt ligjor, inspektorët apo trupat inspektuese do jenë subjekt e objekt i shkeljeve të rënda ligjore”, – tha ai.

Synojmë ta kthejmë Inspektoriatin Qendror në një partner të denjë me biznesin dhe në një institucion të garantuar të biznesit, tha Hajdari.

Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri është një organizatë private e biznesit e angazhuar për të ndihmuar në përmirësimin e klimës së biznesit në Shqipëri si dhe në përmirësimin e imazhit të biznesit shqiptar në tregjet amerikane dhe ndërkombëtare. e.xh/ /a.g/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.