Seferi: Bonusi progresiv për foshnjat nxit lindshmërinë

TIRANË, 26 shtator/ATSH-Maela Marini/ Vendosja e një bonusi progresiv për çdo foshnje të sapolindur është një politikë sociale që synon të nxisë lindshmërinë në Shqipëri.

Denada Seferi, drejtore e Programeve të Zhvillimit të Kujdesit Shëndetësor dhe Social informoi sot mbi vendimin më të fundit të qeverisë për bonusin për të sapolindurit.

Vendosja e një bonusi special për çdo lindje, duke nisur nga 400 mijë lekë të vjetra për fëmijën e parë, 800 mijë lekë për fëmijën e dytë dhe 1.2 milionë lekë për fëmijën e tretë, sipas Seferit, do të nxisë lindshmërinë dhe do të rinojë popullsinë tonë.

Seferi tha se, aktualisht po trajtohen modalitetet mbi mënyrën se si do të shpërndahet bonusi pranë familjeve.

Sipas saj, në Shqipëri ka një rënie të lehtë të numrit të lindjeve, ndaj dhe kjo politikë e re sociale vjen në momentin e duhur. “Kemi një rënie të lehtë të numrit të lindjeve dhe kjo si pasojë e frekuencës së lindjes në nëna me moshë nga 35-39 vjeçe apo 40-44 vjece. Ndërkohë, grupmosha e grave disa vite më parë ka qenë 20-24 vjece, dhe 25-29 vjeçe”, – tha Seferi.

Po ashtu, Seferi tha se dixhitalizimi i regjistrimit të foshnjave dhe pajisja e tyre me certifikatë online do të lehtësojë procesin.

Por, sipas saj, kjo politike e re sociale mbështetet po ashtu nga shumë politika dhe nisma të ndërmarra nga qeveria në ndihmë të shtresave në nevojë.

Konkretisht, Seferi përmendi subvencionin që përfitojnë familjet në nevojë për arsimimin dhe vaksinimin e fëmijëve. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.