Rakacolli: Maternitetet do të pajisen me aparatura moderne

TIRANË, 26 shtator/ATSH/ – Ndërsa investimet në sektorin e Shëndetësisë do të kapin vlerën deri 14 milion euro, sikurse është parashikuar nga Ministria e Shëndetësisë, përmirësimi i infrastrukturës së materniteteve shihet me prioritet nga ana e kësaj të fundit.

Zv/ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Mira Rakacolli sqaroi në një intervistë televizive se ndërhyrja në maternitete do të vijojë, deri sa të sigurohen kushte bashkëkohore.

“Edhe maternitetet janë pjesë e sistemit shëndetësor që po pëson investime të rëndësishme. Po përmirësohet infrastruktura dhe fuqizohen maternitetet. Ne kemi në plan investime edhe maternitetin e Beratit, njëkohësisht edhe në spitale të tjera në të gjithë vendin. Ndryshimi i infrastrukturës që tashmë është i prekshëm në disa spitale në disa qytete, ka prekur edhe pjesën e aparatura. Të gjitha maternitetet janë pajisur me inkubatorë dhe me inkubatorë të lëvisshëm. Shumë shpejt materniteti i QSUT do të pajiset me eko bashkëkohore. Infrastrukturë, pajisje, asistencë dhe personel të specializuar, janë investimet që do të vijojnë në këtë sektor”, – shpjegoi ajo.

/z.tosku/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.