Haradinaj: SHBA, rol të pazëvendësueshëm në rrugën euro-atlantike të vendit

TIRANË, 26 shtator /ATSH/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë vizitës së tij zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, së bashku me Presidentin Hashim Thaçi kanë takuar Ndihmëssekretarin e Shtetit të SHBA-ve për Çështje Europiane dhe Euroaziatike, Wess Mitchell, me të cilin biseduan për aktualitetin politik në Kosovë dhe rajon.

Kryeministri Haradinaj e ka njoftuar Mitchell për zhvillimet aktuale politike në Kosovë dhe për përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit, për progresin e Kosovës në përmbushjen e reformave të gjithanshme në rrugën eurointegruese dhe euroatlantike dhe për hapat që kanë ndërmarrë institucionet e vendit për të krijuar një klimë të favorshme për të investuar në Kosovë.

Kryeministri Haradinaj ka falënderuar Mitchell për kontributin e tij dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtarë të Kosovës dhe në shumë fusha tjera me rëndësi, me theks zhvillimin ekonomik dhe demokratik të vendit.

“Miqësia dhe partneriteti strategjik me ShBA-të janë të pazëvendësueshme. Kosova është e përkushtuar në rrugën e saj euroatlantike dhe për këtë roli i ShBA-ve, është i rëndësisë së veçantë”, tha Kryeministri Haradinaj, duke kërkuar mbështetjen amerikane në procesin e transformimit të FSK-së në Ushtri.

Në takim, është biseduar edhe për procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të cilin Kryeministri Haradinaj tha se Kosova është për dialog dhe për përmbylljen e këtij procesi përmes arritjes së një marrëveshjeje ligjërisht obliguese për të dyja vendet dhe me njohje reciproke.

Ndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA-ve për Çështje Europiane dhe Euroaziatike, Wess Mitchell, tha se Kosova do ta ketë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës edhe më tutje, në forcimin e sundimit të rendit dhe të ligjit, në arsim dhe në rrugën e saj euroatlantike.

Pjesë e këtij takimi ishte edhe zëvendëskryeministri dhe ministër i Jashtëm Behgjet Pacolli dhe ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku. /KosovaPress/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.