8-fishim i çekut të bebes për fëmijën e parë, lehtësim procedurash në regjistrim

TIRANË, 26 shtator/ATSH-Zina Tosku/ – Çiftet e reja që planifikojnë për t’u bërë me fëmijë për herë të parë, tashmë do të përfitojnë një çek prej 40 mijë lekësh, ndërsa ky bonus do të vazhdojë në rritje menjëherë nëse shtohet numri i fëmijëve në familje.

Falë politikës së re sociale të lançuar sot nga vetë Kryeministri, kjo e fundit synon që të nxisë rritjen e popullsisë si dhe të stimulojë gjeneratën europiane të së ardhmes.

Zv/ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli ka shpjeguar në një intervistë televizive se kjo politikë sociale do të zhdukë edhe burokracitë e regjistrimit të fëmijës.

“Kjo politikë e lançuar sot konsiston në shumëfishimin e bonusit që ka qenë më parë, pra çeku i bebeve i lançuar për herë të parë nga kryetari i asaj kohe, në vitin 2000. Nga 50 mijë që është sot, ky bonus 8-fishohet për fëmijën e parë. Do të ketë një çek prej 400 mijë lekë të vjetër për fëmijën i parë, për të dytin dyfishohet dhe shkon në 800 mijë dhe për fëmijët e tretë shkon në 1 milion e 200 mijë”, – u shpreh zv/ministrja.

Rakacolli shpjegoi më tej se lidhur me shpërndarjen e çekut, ky i fundit do të kryhet drejtpërdrejtë.

“Nga 1 janari i 2019 do të nisë shpërndarja dhe çeku do të përfitohet dhe shpërndahet në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe shumë shpejt. Faktikisht, deri më sot ka pasur vonesa në shpërndarjen e çeqeve por tashmë është e sigurt se kjo do të jetë në mënyrë të drejtpërdrejtë falë një politike tjetër. Nuk do të jetë më praktika e deritanishme, por regjistrimi i bebeve do të bëhet direkt nga ekipi mjekësor dhe do të merret direk bonusi, pra do të ketë edhe lehtësim burokratik”, – sqaroi zv/ministrja.

Ajo pranoi se sikurse ka ndodhur në botë, ku numri i lindjeve ka rënë, edhe Shqipëria nuk ka shpëtuar nga ky fenomen. Sipas saj, nëse më herët ka ndodhur që fasha e lindjes së grave të ishte mosha 25 vjeç, tashmë kjo fashë është rritur. Ndaj, sipas Rakacollit, për këtë arsye, qeveria ka menduar të stimulojë rritjen e gjeneratës së Shqipërisë europiane.

Çeku i bebeve për herë të parë është lançuar nga kryetari i bashkisë së Tiranës, Edi Rama në vitet 2000. /e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.