Rikonstruktohet Kopshti 18, Veliaj: Kushte më të mira për fëmijët

TIRANË, 25 shtator/ATSH/- Kryebashkiaku i Tiranës deklaroi se kopshtet publike kanë rritur cilësinë. Për këtë arsye prindërit këmbëngulin ti regjistrojnë fëmijët në kopshte publike.

Ky vit i ri arsimor i gjeti vogëlushët e Njësisë 2 me kopshtin e rikonstruktuar dhe me infrastrukturë moderne. Pas rikonstruksionit të çerdheve dhe të rindërtimit të shkollës “Kosova”, bashkia e Tiranës rikonstruktoi edhe “Kopshtin 18” në Rr. “Mihal Grameno”, i cili ofron jo vetëm kushte më të mira për fëmijët, por njëkohësisht ka ulur edhe ngarkesën në kopshtet e tjera përreth tij.

“Jam shumë entuziast sot që hapet “Kopshti 18”, një kopsht jashtëzakonisht i rëndësishëm për mua, sepse dikur ka qenë edhe kopshti im. Jam shumë i lumtur që kopshti jo vetëm është rregulluar, por i janë shtuar hapësirat me disa dhjetëra metra katrorë. Do të thotë që kemi shtuar grupet, kemi kaluar nga një kopsht me 150 fëmijë në një kopsht që tani ka thuajse 300 fëmijë”, – tha Veliaj.

Ai tha se falë investimeve të realizuara nga bashkia e Tiranës, kopshtet publike ofrojnë kushte shumë herë më të mira, duke bërë që edhe kërkesa e prindërve të jetë më e lartë. “E di që këmbëngulja e prindërve për t’i çuar fëmijët në kopshtet publike është shumë e madhe. Për ne është kompliment. Do të thotë se kopshtet publike e kanë rritur aq shumë cilësinë, saqë për një vend në kopshtet publike kemi një pafundësi kërkesash. Megjithatë, duke qenë se kopshtet, edhe në administrim do t’i kalojnë bashkisë së Tiranës, pra jo vetëm si ndërtim, por edhe si furnizim, besoj që edhe ne do të përgatitemi që të përballojmë më mirë nevojat që ka Tirana”, – tha Veliaj, i cili falenderoi donatorët për kontributin që kanë dhënë për përmirësimin e infrastrukturës.

“Ne vërtet investuam në rikonstruksionin e kopshtit, por kishim nevojë për një ndihmë me mobiljet, të cilat na janë financuar shumë bujarisht nga ambasada turke dhe TIKA. Ky bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë, të cilët ndihmojnë me gjëra konkrete, jo me seminare e konferenca, por diçka të prekshme, siç ishte mobilimi i këtij kopshti, bëri që të dyja fuqitë bashkë, e bashkisë dhe e qeverisë turke, të realizonin në një kohë rekord këtë kopësht fantastik, për të cilin kam nostalgji, dhe që mbush nevojat e një pellgu familjesh të reja që kanë shumë nevojë për arsim cilësor”, – tha kryebashkiaku Veliaj.

“Kopshti 18” është dëshmi e asaj që bashkia e Tiranës ka bërë dhe po bën gjatë këtyre 3 viteve për të ofruar një shërbim cilësor për rritjen, edukimin dhe zhvillimin e fëmijëve. Veliaj dha lajmin e mirë se shumë shpejt do të jetë gati edhe shkolla “Mihal Grameno”, e cila është në proces rikonstruktimi. “E kemi filluar këtu mbrapa me një çerdhe të re, pastaj fëmijët rriten dhe vijnë në një kopsht të ri, e pasi mbarojnë ciklin në kopshtin e ri, mund të shkojnë te shkolla “Kosova”, ose te shkolla “Mihal Grameno”, që sapo ka filluar rikonstruksioni dhe do jetë gati vitin tjetër. /o.l//a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.