Rikonstruksion i shkollës “Sulejman Rrançi”, Sejdiu: Transport falas për nxënësit

TIRANË,25 shtator /ATSH- I. Vata/ – Kryetari i bashkisë Elbasan, Qazim Sejdini sqaroi sot opinionin publik në lidhje me shkollën 9-vjeçare “Sulejman Rrançi”, Mengël.

Në një deklaratë për mediet, kryetari Sejdini theksoi se problematikat e kësaj shkolle kanë nisur 7 vite më parë, pasi vetë ndërtimi i kësaj godine ka pasur probleme që në nisje.

Sejdini bëri publike korrespondencën e Drejtorisë së Shkollës dhe korrespondencën e komunës së asaj kohe ku kërkohet ndërhyrje urgjente, pasi godina rrezikon jetën e fëmijëve (dokumentacioni bashkëngjitur).

Në këtë korrespondencë theksohen problemet e godinës, çarja e mureve, rënia e suvatimeve, fundosje të dyshemesë dhe gropa në të, tundjet e soletës kur kalojnë fëmijët.

Sejdini bëri përgjegjës komunën e asaj kohe dhe Drejtorinë e Arsimit të cilët nuk morën masa që në atë kohë, por fatmirësisht nuk pati lëndime të fëmijëve. “Gjatë tërmetit të majit të vitit 2017 gjendja fizike e objektit u rëndua më tej. Specialistët gjykuan se godina ishte e papërshtatshme për të funksionuar dhe ishte rrezik serioz për nxënësit. Në këto kushte shkolla u mbyll deri në rikonstruksionin e plotë të saj, rikonstruksion i cili parashikon edhe shtimin e klasave, për shkak të numrit të madh të nxënësve, sistemin e ngrohjes dhe ambientet sportive”.

Ky projekti i është dorëzuar për financim Ministrisë së Arsimit në prill të vitit 2018, por deri tani nuk ka marrë financime.

Të gjendur në këto kushte bashkia e Elbasanit ka përgatitur një tjetër projekt të pjesshëm investimi me fondet e saj.

Kryetari i bashkisë u tregua i prerë dhe i vendosur në vendimin e tij për të mos rrezikuar fëmijët, duke bërë edhe një herë thirrje të mos politizohet çështja.

“Bashkia e Elbasanit do të vijojë të garantojë transportin e fëmijëve falas në shkollat e qytetit (3 km distancë) deri në rikonstruksionin e shkollës”, shprehet Sejdini. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.