Qeveria e Kosovës po punon në fuqizimin e arsimit dhe aftësimit profesional

PRISHTINË, 25 shtator /ATSH/ – Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, deklaroi sot se Qeveria e Kosovës është duke punuar në fuqizimin e arsimit dhe aftësimit profesional, në bashkëpunim edhe me partnerët gjermanë.

Ai gjatë një vizite në njërën nga Qendrat e Edukimit dhe Trajnimit Profesional në Traunstein të Gjermanisë, tha se është shumë e rëndësishme që të ndërtohen ura bashkëpunimi në mes të qendrës në fjalë dhe qendrave për aftësim profesional në Kosovë, me qëllim të përfitimit të përvojave dhe trajnimit profesional.

Ministri Reçica u prit nga drejtori i Qendrës, Max Stadler, nga i cili u njoftua në detaje rreth punës që bëhet në këtë qendër sa i përket edukimit dhe aftësimit profesional sipas sistemit dual gjerman, në një numër të madh profilesh.

Ndërsa, Stadler shprehu gatishmërinë për bashkëpunim si dhe për të ndihmuar institucionet e edukimit dhe aftësimit dual në Kosovë, për çka u dakordësuan për vënien e hapave të parë në këtë drejtim.

Ndryshe, Reçica po ashtu vizitoi disa punëtori në të cilat po aftësohen një numër i madh i të rinjve në profile të ndryshme. /KosovaPress//e.malaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.