Mbrojtja dhe informimi i konsumatorëve, shqyrtohen ndryshimet në ligj

TIRANË, 25 shtator/ATSH/ Mbrojtja e konsumatorëve dhe informimi i tyre mbi shitjet dhe shërbimet që ofrohen në treg ishin në fokus të diskutimeve të sotme në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin.

Komisioni shqyrtoi projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9902, datë 17.4.2008, “Për mbrojtjen e konsumatorëve”, të ndryshuar”. Të ftuar në mbledhjen e drejtuar nga kryetari i këtij komisioni Eduard Shalsi, ishte zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë Albana Shkurta dhe përfaqësues të tjerë të kësaj ministrie.

Projektligji parashikon dispozita në lidhje me shtrirjen e mbrojtjes së konsumatorëve në nivel vendor, nëpërmjet delegimit të disa kompetencave pushtetit vendor për mbrojtjen e konsumatorëve, kryesisht të lidhura me informimin, ndërgjegjësimin, mbledhjen dhe seleksionimin e ankesave të tyre, në bashkëpunim të ngushtë me strukturën përgjegjëse të mbrojtjes së konsumatorëve në nivel qendror.

“Ky projektligj synon gjithashtu përcaktimin e rregullave për informim të konsumatorëve, mbi shitjet dhe shërbimet që ofrohen ne treg. Për vendosjen e ekuilibrave të drejtë në ekonominë e lehtë të tregut dhe shmangien e deformimeve apo mangësive të tregut të mallrave dhe shërbimeve që ofrohen ndaj publikut të gjerë”, – u shpreh Shkurta në prezantimin e këtij projektligji. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.