Komisioni i Ligjeve, miratoi kërkesën e KPK-së për 16 punonjës

TIRANË,25 shtator /ATSH- I. Vata/ – Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në drejtimin e kryetarit të Komisionit, Ulsi Manja, miratoi në mbledhjen e sotme të komisionit projektvendimin “Për një shtesë personeli në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit”.

E pranishme në komision për paraqitjen  e projektvendimit “Për një shtesë personeli në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit” ishte Genta Tafa, kryetare e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, e cila kërkoi një shtesë personeli prej 16 punonjësish në përbërje të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe një riklasifikim pagash të strukturës.

Ndërsa Laerta Poda, sekretare e Përgjithshme e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, ishte e pranishme për paraqitjen e projektvendimit “Për disa ndryshime të strukturës organizative, organikës dhe klasifikimit të pagave të personelit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit”.

Poda kërkoi shtimin në dhjetë të këshilltarëve ekonomikë, shtimin e dy përkthyesve, një specialisti IT-je, një specialisti prokurimi, një punëtori mirëmbajtjeje dhe një punonjësi pastrimi.

Po ashtu, Poda kërkoi një riklasifikim pagash të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. Për projektvendimin e tretë, “Për shtesë të numrit të punonjësve dhe riklasifikim të pagave të administratës së Institucionit të Komisionerëve Publikë”, të pranishëm në komision ishin  Florian Ballhysa dhe Dariel Sina, komisionerë publikë.

Komisioneret, Hysa dhe Sina paraqiti në komision kërkesën për shtesë prej katër këshilltarësh në njësinë ligjore të institucionit, një shtesë për një specialist jurist në strukturën e administratës së institucionit dhe riklasifikim pagash për specialistët e deritanishëm të strukturës.

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, me relator Bashkim Finon, propozoi miratimin e kërkesave me sugjerimet ndryshuese të komisionit për secilën prej tyre. Të trija projektvendimet e paraqitura në komisionin e Çështjeve Ligjore, Administratës Publike dhe të Drejtat e Njeriut, u miratuan me propozimet e deputetit Fino. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.