Liria ekonomike, Shqipëria e 34-ta, “Fraser”: Tejkaloi Kroacinë, Greqinë e Bullgarinë

TIRANË, 25 shtator /ATSH/ Instituti “Fraser” e ka renditur Shqipërinë në vendin e 34 nga lista prej 162 shtetesh në raportin e tij vjetor që analizon të dhënat e vitit 2016. Vendi ynë u rendit në vendin e 42-të në raportin e dy viteve më parë.

Në listën prej 162 shtetesh, Shqipëria renditet në vendin e 34, duke lënë pas Kroacinë në vendin e 75, Bullgarinë (46), dhe akoma më pas Greqinë, që për shkak të krizës ekonomike është renditur në vendin e 108-të.

Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Sonila Qato, duke iu referuar këtij raporti thotë se “ndër indikatorët e marrë në analizë, indikatori i biznesit shënon përmirësim me 20% krahasuar me vitet e kaluara”.

Raporti “Liria Ekonomike në Botë 2018” publikuar nga Instituti “Fraser” nxjerr indeksin për vendet e analizuara ku përfshihen pesë kategori në shqyrtim si Madhësia e Qeverisë, Struktura Ligjore ku përfshihet sistemi i drejtësisë dhe mbrojtja e së drejtës mbi pronën, paratë e pastra, lehtësia e tregtisë ndërkombëtare dhe legjislacioni. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.