FRANCË – ”Michael Kors” blen ”Versace” për 1,83 miliardë euro

PARIS, 25 shtator /ATSH-AFP/ – Kompania amerikane e industrisë së modës ”Michael Kors” zyrtarizoi sot blerjen e kompanisë italiane ”Versace” me një vlerë rreth 1,83 miliardë euro, duke konfirmuar informacionet që qarkullonin një ditë më parë në media.

”Blerja e ‘Versace’ është një hap i rëndësishëm për grupin tonë. Me burimet që zotërojmë besoj se ”Versace” do të rritet për të tejkaluar dy miliardë dollarë xhiro vjetore”, deklaroi drejtori i përgjithshëm ”Michael Kors”, John Idol, cituar në një komunikatë shtypi.

”Ky është një moment shumë motivues për ”Versace”. Jam krenare që marka do të vijojë të mbetet shumë e fuqishme si në industrinë e modës ashtu dhe në kulturën moderne”, u shpreh Donatella Versace, drejtoreshë artistike dhe zëvendëspresidente e grupit me të njëjtin emër./ /v.b/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.