Balla: Panariti firmosi kontratë qiraje toke për Balilët, Prokuroria të hetojë

TIRANË, 24 shtator/ATSH/ – Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot “për luftën kundër oligarkëve, kundër përfshirjes së kriminalitetit, nuk ka përgjigje më të mirë sesa Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Prokuroria Speciale Anti Korrupsion”.

Në reagim të deklaratave të kryedemokratit Lulzim Basha, Balla tha nga foltorja e Kuvendit se “nuk mund të bësh ligj ti Lulzim nëpër hotele, sallat e të cilëve nuk di kush t’i paguan”.

“A mund ta besojë kush në Shqipëri që mund të bëjë luftë kundër oligarkëve gjobaxhiu i oligarkëve, Lulzim Basha? Emisioni investigativ “STOP” në TV Klan, javën e kaluar bëri publik se si të gjitha kompanitë e mëdha në vend, ato me mbi 100 mln euro lëvizje kapitali në vit, të gjitha kanë kontaktuar për konsulencë kompaninë e kunatit dhe të bashkëshortes së Lulzim Bashës. Konsulencë në fushën e reklamës, mediatike, etj. Një kompani e cila faturonte rreth 2 miliardë lekë nga këto kompanitë e oligarkëve. A është kjo, Lulzim Basha, gjobë që ti u vendos kompanive për të mos i përmendur këtu në Parlament? Unë mendoj që po”, – tha Balla.

Më tej, Balla ka akuzuar ish-ministrin e Bujqësisë, Edmond Panaritin se kishte firmosur një kontratë qiraje toke për Balilët.

“Jo të gjitha tokat e dhëna me qira sot janë në shfrytëzim. Përkundrazi, kemi dhe raste të cilat ku unë e përshëndes angazhimin tuaj personal në një kontratë të firmosur nga paraardhësi juaj, z. Panariti me familjen Balili, që ende nuk ka marrë zgjidhjen e duhur për shkak se kontrata është qepur aq mirë. Por unë mendoj se ligji duhet të jetë i fortë edhe në këtë rast”, – tha ai.

“Nuk mund që nga njëra anë Balilëve t’u sekuestrojmë hotelin dhe nga ana tjetër 90 ha tokë të marra me qira nga shteti të mos kemi mundësi t’ja sekuestrojmë. Edmond Panariti, ish-ministri i Bujqësisë i Lëvizjes Socialiste për Integrim, ka firmosur atë kontratë. Por kjo nuk mund të jetë sot e vlefshme në rast se ne nuk gjejmë hapësirat ligjore që atë kontratë ta bëjmë të pavlefshme. Kjo e bën qesharake opozitën turistike, e cila edhe sot nuk gjeti mundësinë që të ishte në sallën e Kuvendit të Shqipërisë për të diskutuar për një çështje reale, sikurse janë problemet e tokave bujqësore, por vijoi turin e radhës në hotelin turistik të radhës”, – tha Balla.

Ai i kërkoi ministrit të Bujqësisë që të rishikohen të gjitha kontratat. “Për shkak se Ministria e Bujqësisë është qeverisur katër vitet e shkuara nga ish-aleati ynë LSI, por edhe për shkak se në tetë vitet përpara 2013-ës është bërë një abuzim jo vetëm me tokat bujqësore, por edhe me liqenet, duhen parë të gjitha kontratat. Në Belsh liqenet janë dhënë me qira për gjoja kultivim peshku, por në qendër të Belshit ende ushqehen peshqit me glasat e pulave, sipas kontratave që ka firmosur ish-aleati ynë në qeveri”, – deklaroi deputeti i PS.

Në përfundim, Balla tha se “këto kontrata duhen prishur z. Ministër, sepse realisht dëmtojnë zhvillimin e turizmit në zemër të Belshit, por nuk mund të vazhdohet më me kontrata të këtij lloji. Auditet, Prokuroria, duhen nxitur për t’i parë të gjitha këto kontrata njëra pas tjetrës”. /z.t/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.