SHBA – Haley: Uashingtoni dënon atentatin në Iran

NJU JORK, 23 shtator /ATSH-AFP/ – Ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley dënoi sot sulmin që ndodhi dje gjatë një parade ushtarake në Ahvaz, në Iran ku mbetën të vdekur 29 persona.

“SHBA-ja dënon çdo sulm terrorist në çdo vend, pikë”, deklaroi Haley, e pyetur në kanalin televiziv CNN.

Të paktën 29 persona u vrarë dhe 53 të tjerë u plagosën në një atentat që shënjestronte një paradë ushtarake në Ahvaz, në jugperëndim të Iranit, sipas bilancit zyrtar.

Ky sulm u morr përsipër nga grupi terrorist Shteti Islamik (ISIS) ndërkohë që Teherani akuzon lëvizjet separatiste në Iran dhe disa shtete të Gjirit që i mbështesin ato. /G.S/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.