“ArTurbina” mirëpret Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit, 14 trupa nga të gjitha trevat shqiptare

TIRANE, 23 shtator/ATSH/- Skena e re ArTurbina ka hapur dyert mbrëmjen e të dielës duke mirëpritur artistë dhe publikun në një festë të përbashkët, atë të Festivalit Mbarëkombëtar të Teatrit.

Rikthimi i këtij Festivali Mbarëkombëtar i Teatrit, konsiderohet si ngjarja më e rëndësishme teatrore e vitit. Ky festival organizohet me rastin e Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut, nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës.

“ArTurbina” do të flasë shqip me të gjitha dialektet dhe format e saj në skenë nga data 23 deri më 30 shtator. Një festival që përfshin gjithë trevat shqipfolëse: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi. 14 trupa teatrore janë bërë pjesë e këtij festivali,  organizmi i të cilit u mbështet edhe nga Bashkia e Tiranës.

Adem Karaka, drejtor i Teatrit te Shkupit dhe Agron Myftari i Prishtinës bashkë me Hervin Çulin të Teatrit Kombëtar, çelën siparin e tij. Çuli u shpreh se Andia Xhunga dhe Bashkim Hoxha do të hyjnë më histori se do ngjisin në skenë shfaqjen e parë, TAG”. Ndërsa, Myftari shprehet se, ‘ne veriorët nga Kosova nuk dimë të flasim shumë veç po ose jo, se ruajmë energjinë. Tirana të organizojë aktivitete të tilla, ne do ti rrimë pas”. Drejtori i Shkupit u shpreh se ndihem i privilegjuar  dhe kam shpresë që vrulli i ndërtimit të skenave do të vazhdojë. “Shqipja gjithmonë ka tingëlluar bukur në çdo cep të rruzullit ku flitet. Padyshim më bukur ka qenë në këto skenat tona”.

Aktori i njohur, Ndriçim Xhepa,  i cili është edhe kryetar i jurisë së festivalit, e cilësoi organizimin e Festivalit Mbarëkombëtar të Teatrove si një vlerë e padiskutueshme për qytetin dhe kërkoi që kjo ngjarje të kthehet në një traditë.

“Rifillimi i festivalit mbarëkombëtar të teatrove është një vlerë e padiskutueshme; për të kanë nevojë kryeqendrat tona, krijuesit, regjisorët, aktorët, skenografët, konstumografët, që të shohin, të përballen me njëri-tjetrin dhe pse jo, të përmirësohen me një konkurrencë pozitive”, theksoi Xhepa.

I pranishëm, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se “është i lumtur që po organizon këtë Festival bashkë me Morelia-n.  “Fakti që kemi bërë 700 aktivitete në vit në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, pyetjes së Xhepës i përgjigjem, që jemi të gatshëm qe jo vetëm të bëjmë një aktivitet teatror, por edhe shumë të tjerë”.

Veliaj tha se investimi për “arTurbinën” ka një rëndësi të veçantë për qytetin.

Ai nënvizoi se kryeqyteti do të ketë edhe një godinë të re për Teatrin Kombëtar dhe i ftoi të gjithë të lënë pas histerinë, për t’i hapur rrugë zhvillimit. Veliaj shprehu bindjen se ashtu si “arTurbina”, edhe godina e re e Teatrit Kombëtar do të ketë një njëjtin sukses. “Ka ardhur koha që të jemi më pak të marrosur, më pak histerikë, më pak entuziastë për llaçin e tullën dhe më shumë të frymëzuar nga arsyeja e vërtetë se pse ne po i bëjmë këto ndërtesa. Bëhen për njerëzit, për t’u shijuar e përjetuar nga njerëzit, për të frymëzuar njerëzit. Me më pak shqetësim për llaçin, tullat, arkitektët e inxhinierët, për tallashin dhe gjithë vjetërsirat dhe me më shumë angazhim, të mund të financojmë teatro si ky që do shohim sot”, deklaroi Veliaj.

Falë një kalendari të detajuar, të ngjeshur me aktivitete nga Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Kulturës, Tirana është kthyer në një qendër arti, duke arritur gjer në 700 evente në vit. “Në një kilometër katror hapësirë po ndodhin disa gjëra: një event në sheshin “Skënderbej”, një event tjetër tek Amfiteatri i Liqenit, një tjetër aktivitet filmash te Pazari i Ri e kështu me radhë; në qoftë se unë do të kisha një ëndërr për të vizatuar se ç’mund të ishte qyteti ynë, ai do të ishte i mbushur me aktivitete të tilla”, tha Veliaj.

Pasi i uroi suksese trupave të aktorëve që do të ngjiten në skenë përgjatë një jave, Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro u shpreh optimiste se shumë shpejt do të jenë gati për publikun edhe godina e rikonstruktuar e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit dhe godina e Teatrit të ri Kombëtar. “Është shumë kënaqësi kjo skenë. I urojmë mbarësi këtij teatri, ashtu sikurse do të piqemi besoj, pas një viti, në një tjetër teatër fantastik kombëtar si Teatri i Operas dhe i Baletit dhe padyshim tek Teatri i ri Kombëtar, siç e meriton kjo trupë”, deklaroi Kumbaro. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.