Ahmetaj -PD-së: Ia keni koncesionuar mendjen paditurisë

TIRANË, 23 shtator/ATSH/ “Nuk ka koncesion për sistemin e tatimeve, por si duket Partia Demokratike ia ka koncesionuar mendjen paditurisë”.

Kështu deklaroi sot Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj duke reaguar ndaj deklaratave të deputetes së PD-së, Jorida Tabaku, për koncensionin e sistemit të tatimeve.

“Dje një duet i dobët përçartjeje publike, sot një solo për të ardhur keq. Eshtë e kotë t’iu përgjigjesh për çdo budallallëk! Nuk ka koncesion zonjë! Por si duket ju dhe partia juaj ia keni koncesionuar mendjen paditurisë”, u shpreh Ahmetaj.

Ministri theksoi se “ne mbetemi të vendosur të çojmë përpara reformat, të vazhdojmë uljen e lehtësimin e mëtejshëm të ngarkesës fiskale për biznesin e qytetarët dhe të fokusojmë të gjithë vëmendjen tek njerëzit e tek puna në shërbim të tyre”.

Më herët, deputetja e PD-së Jorida Tabaku u shpreh se “koncesioni i sistemit të tatimeve është një aferë korruptive”. “Koncesioni i Tatimeve është një tjetër thelë e buxhetit që korruptët e qeverisë duan ta gllabërojnë! Në ditët në vijim më shumë fakte për këtë koncesion dhe për të tjerat”, tha Tabaku./m.m/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.