IRAN – Të paktën tetë ushtarakë të vdekur gjatë një sulmi në jugperëndim të vendit

TEHERAN, 22 shtator /ATSH-AFP/ – Të paktën tetë ushtarakë u vranë sot në jugperëndim të Iranit në një sulm të zhvilluar nga një komando e armatosur, që pretendohet se ka lidhje me grupet separatiste arabe, sipas medias iraniane.

Ky atentat, që nuk është marrë ende përsipër nga ndonjë grupim, ndodhi në një çast që vendi kujton Ditën Kombëtare të Forcave të Armatosura iraniane që përkujton çdo 22 shtator fillimin nga Bagdadi të luftëns Iran-Irak (1980-1988).

Sulmi që ndodhi rreth orës 09:00 (05:30 GMT) sipas agjencisë gjysmëzyrtare ISNA ndodhi në Ahvaz, kryeqyteti i provincës Khuzestan, i populluar kryesisht nga Arabë.

Numri i plotë i viktimave ende nuk dihet.

“Tetë ose nëntë ushtarakë janë vrarë në këtë sulm dhe 20 të tjerë janë plagosur. Të plagosurit janë në një gjendje kritike”, raporton ISNA-ja duke cituar zëvendësguvernatorin e provincës së Khuzestanit, Ali Hossein Hosseinzadeh. /G.S/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.