FRANCË – Parisi: Brexit nuk mund të kthehet në një ligështim të BE-së

PARIS, 22 shtator /ATSH-AFP/ – Brexit nuk mund të kthehet në një ligështim dhe shpërbërje të Bashkimit Europian, theksoi sot ministrja franceze e Çështjeve Europiane, Nathalie Loiseau.

E pyetur në radion “France Info”, ajo shtoi se “27 vendet e Bashkimit Europian që mbeten janë të bashkuar dhe kërkojnë një marrëveshje të mirë me Britaninë e Madhe, një marrëdhënie në të ardhmen që të jetë e ngushtë por jo dëm të BE-së”.

“Dalja nga BE-ja e vendosur me referendum nga britanikët përbën një zgjedhje që e respektojmë”, vazhdoi ajo.

“Por kjo zgjedhje nuk mund të përkthehet me ligështimin dhe shpërbërjen e Bashkimit Europian”, theksoi diplomatja franceze.

Kryeministrja britanike, Theresa May vlerësoi dje se negociatat mbi Brexit ishin në një ngërç dhe i gjykoi të papranueshme kundërshtimet e propozimeve të saj nga krerët europianë në samitin informal të Salzburgut (Austri). /G.S/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.