SHBA – Krim makabër në një çerdhe në Nju-Jork, tri foshnja dhe dy të plagosur

UASHINGTON, 21 shtator /ATSH-AFP/ – Policia e Nju-Jorkut po heton arsyet që shtynë punonjësen e një çerdheje të godasë me thikë, në mes të natës, tri foshnja dhe dy të rritur.

Krimi makabër u regjistrua rreth orës 04:00 të mëngjesit (08H00 GMT), në një ndërtesë të ulët në Flushing, një lagje me popullsi kryesisht aziatike në distriktin e Queens.

Tri foshnjat, të moshës nga tri ditë deri në një muaj dhe dy të rritur, babai i një prej foshnjave dhe një punonjëse tjetër e çerdhes janë shtruar në spital.

Një zyrtar i policisë së Nju-Jorkut, Juanita Holmes në një deklaratë për shtyp pohoi se të plagosurit ndodheshin në gjendje kritike për jetën, por të qëndrueshme.

Pesë persona u goditën me thikën e kuzhinës në këtë çerdhe private e specializuar veçarësisht për kujdesin gjatë natës, ku flinin në ato momente nëntë foshnja.

Dy thika u gjetën në vendngjarje, saktësoi Holmes.

Policia dhe forcat zjarrfikëse mbërritën në vendngjarje gjatë natës, sipas pamjeve të transmetuara në një televizion lokal.

Punonjësja e dyshuar, një 52-vjeçare, identiteti i së cilës nuk bëhet i ditur, është arrestuar./

/v.b/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.