Agjencia Telegrafike Shqiptare

Pragë, hapet ekspozita “Shqiptarët e Çekisë”

TIRANË, 21 shtator /ATSH/ – Hapet në Pragë ekspozita “Shqiptarët e Çekisë” dhe botohet albumi me të njëjtin titull i fotografit të mirënjohur Roland Tasho.

Në mjediset e hotel “Alkimist” në Pragë, Ambasada shqiptare në Republikën e Çekisë organizoi ceremoninë e hapjes së foto-ekspozitës me temë: “Shqiptarët në Çeki” si dhe botimin e albumit me të njëjtin titull të fotografit të mirënjohur Roland Tasho.

Kjo ekspozitë dhe albumi u realizua falë bashkëpunimit të Ambasadës shqiptare në Pragë dhe Ambasadës së Republikës Çeke në Tiranë. Qëllimi i këtij eventi ishte vlerësimi i komunitetit shqiptar të Çekisë, i cili është integruar më së miri në Republikën e Çekisë dhe jep kontributin e tij në zhvillimet ekonomike dhe sociale të vendit pritës, që i ka hapur dyert dhe mirëpritur.

Në fjalën përshëndetëse të aktivitetit Ambasadori Riza Poda, foli për vlerat e komunitetit shqiptar në Çeki, të cilët me punën dhe veprimtarinë e tyre kanë dhënë ndihmesë në marrëdhëniet miqësore mes dy popujve dhe vendeve tona.

Në aktivitet merrnin pjesë deputetë të Parlamentit çek, zv/ministri i jashtëm, përfaqësues të ministrisë së kulturës, të zhvillimit të rajoneve dhe turizmit, të industrisë dhe tregtisë, ambasadorë të akredituar në Republikën e Çekisë, përfaqësues të pushtetit lokal nga Praga dhe Tirana, përfaqësues të komunitetit shqiptar, miq të ambasadës etj.

Artistët e mirënjohur shqiptarë: Bledar Zajmi, celosolist dhe koncertmaestër në Teatrin Kombëtar të Pragës dhe pianisti i talentuar Egli Prifti luajtën disa pjesë muzikore.

/gj.mima/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version