Mesi: Tolerancë zero ndaj punonjësve që nuk u shërbejnë qytetarëve

TIRANË,21 shtator /ATSH- I. Vata/ – “Tolerancë zero ndaj kujtdo që nuk i jep prioritet cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve”, – ka deklaruar sot zv.Kryeministrja, Senida Mesi në takim me drejtorët e përgjithshëm dhe përfaqësues të agjencive shërbimofruese.

Zv/Kryeministrja Senida Mesi u shpreh se “sot, zhvillova një  takim të frytshëm me drejtorë të përgjithshëm dhe përfaqësues të agjencive shërbimofruese për të diskutuar dhe çuar më përpara procesin e pandalshëm të reformës në Shërbimet Publike”.

“Gjatë takimit, theksova faktin se do të ketë ZERO tolerancë ndaj kujtdo që nuk tregon angazhim, apo nuk i jep prioritet përmirësimit të cilësisë së shërbimit ndaj çdo qytetari apo sipërmarrësi, që troket në sportelet e administratës publike”, – u shpreh ajo.

Po ashtu Mesi ka pohuar se: “Është detyrë funksionale e çdo drejtuesi, si edhe e çdo nëpunësi publik për të shërbyer gjithmonë në kohë dhe me cilësi, si dhe të trajtojë shqetësimet e çdo qytetari me kompetencë, etikë, kulturë komunikimi dhe profesionalizëm”.

“Vetëm me punën e çuar deri në fund për të cilën jemi aty dhe bashkimin e forcave e përpjekjeve të përbashkëta, do të jemi të aftë të përmbushim një prej objektivave madhore të qeverisë shqiptare për një administratë europiane dhe me Shërbimet që Duam”, – pohoi Mesi. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.