UASHINGTON, 20 shtator /ATSH-AFP/ – Presidenti amerikan, Donald Trump i kërkoi sot Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës, OPEC, që të ulë menjëherë çmimet e naftës, disa javë pas aplikimit të sanksioneve amerikane kundër sektorit energjetik iranian.
“Ne po mbrojmë vendet e Lindjes së Mesme, ato nuk do të jenë të sigurta për një kohë të gjatë pa ne dhe, megjithatë ata vazhdojnë të nxisin çmime nafte gjithnjë e më të larta! Do ta mbajmë mend”, shkruan në Twitter kreu i Shtëpisë së Bardhë.
“Monopoli OPEC duhet të ulë çmimet tani”, përfundon ai.
Anëtar themelues i OPEC-ut, Irani, një prej kundërshtarëve kryesorë të Uashingtonit, po përballet me një seri sanksionesh amerikane që erdhën menjëherë pas vendimit të Trump për t’u tërhequr nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015, që për pasojë pritet të reduktojë sasinë e naftës në treg. /G.S/ A.JOR.