Lufta ndaj narko-trafikut, arrestohet 46-vjeçari

TIRANË, 20 shtator/ATSH – A. Fortuzi/ – Policia vijon luftën e saj ndaj prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike.

Sipas njoftimit të policisë së Durrësit, mësohet se gjatë mbrëmjes së djeshme është finalizuar operacioni policor “Fusha e Rërës”, ku është arrestuar një 46-vjeçar, Ardian Llana, i dënuar më parë për “Vrasje me dashje”.

Nga Policia Kriminale e D.V.P Durrës disponoheshin informacione se shtetasi Ardian Llana, i dënuar më parë për vrasje, posedon armë zjarri dhe lëndë narkotike të llojit kanabis dhe heroinë, ku tentonte t’i shpërndante në afërsi të shkollave. Mbi bazën e këtyre informacioneve, u organizua dhe u zhvillua operacioni i koduar “Fusha e Rërës”, ku u kap në afërsi të një shkolle, shtetasi i mësipërm.

Gjate kontrollit, shtetasit Ardian Llana iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi lënde narkotike kanabis sativa dhe doza heroine (56 gramë kanabis dhe 7 doza heroine).

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës në ngarkim të shtetasit të lartpërmendur. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.