Ankesat e qytetarëve, ndihmë për përmirësimin e mekanizmit të ALUIZNI-t

TIRANË, 19 shtator /ATSH/ Platforma e bashkëqeverisjes “shqiperiaqeduam.al” merr ditë pas dite ankesa dhe kërkesa nga qytetarët që kanë lidhje me vonesat dhe moskthim përgjigjeje për lejet e legalizimit, për të cilat qytetarët thonë se kanë aplikuar që 13 vjet më parë.

Në takimin javor me koordinatorët e platformës së bashkëqeverisjes, u sollën disa raste që vërtetojnë numrin e madh të ankesave të qytetarëve për probleme të kësaj natyre.

Kështu, familja e Lulzim Ballës i cili solli dëshminë e vet në platformë, kishte aplikuar për lejen e legalizimit që në vitin 2005, mirëpo nuk kishte marrë asnjë zgjidhje, por vetëm përgjigje pafund, se dosja ishte në proces vlerësimi.

Lulzim Balla nga Kamza tha në takimin me Kryeministrin se i ishte drejtuar platformës me dy kërkesa, një për energjinë elektrike dhe tjetri për lejen e legalizimit dhe të dy problemet iu zgjidhën në një kohë të shkurtër.

Edhe rasti i Shkëlqim Dautit solli të njëjtën problematikë. Pasi priti përgjigje nga ALUIZNI pas aplikimit në vitin 2006, qytetarit iu zgjidh problemi nga platforma e bashkëqeverisjes.

Kryeministri Edi Rama në koment të këtyre rasteve, theksoi se “ndërveprimi me qytetarët dhe adresimi i vonesave në platformë nga ndihmon jashtëzakonisht shumë për të përmirësuar më tutje funksionimin e mekanizmit të ALUIZNI-t”. Kjo, theksoi Rama, bëhet e nevojshme sidomos tani që po përgatitet nisja ë e një procesi të rëndësishëm që është reforma e agjencive që do të sjellë njësimin e agjencive të pronës për të shmangur një herë e përgjithmonë ecejaket e qytetarëve sa nga Hipoteka tek ALUIZNI dhe anasjelltas.

“Qytetarët do të kenë një pikë të vetme referimi dhe do të plotësohet edhe puna e madhe që bëjnë koordinatorët e platformës”, – theksoi Kryeministri. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.